Profesori Enver Bytyçi shprehet se lëvizjet politike në Kosovë kanë lidhje me rrëzimin e qeverisë.
“Pas zgjedhjeve ende nuk dihet saktësisht se kush e merr qeverisjen e vendit. LDK e ka shumë të vështirë të dalë para Vetëvendosjes. Edhe nëse Vetëvendosja do të kishte rrjedhje votash. Por kjo rrjedhje nuk e ccon Vetëtvendosjen si parti të dytë. LDK duket se ka një projekt afat-gjatë për të bërë diversion te Lista Guxo. Unë besoj se qëllimi është që këtë parti ta detyrojë t’i bashkohet Lidhjes Demokratike, por jo të asgjësojë qeverisjen e sotme. Ky objektiv i zotit Abdixhiku mund të funksionoje, por jo në terma afatmesme. Duhen disa vite. Kësisoj nuk besoj se lëvizjet kanë lidhje me rrëzimin e qeverisë”, nënvizon ai.
Në fund, profesori thotë që ndryshimi i mazhorancës me trafik deputetësh, nuk e çon zotin Abdixhiku domosdo në krye të ekzekutivit të Kosovës.
“Nga ana tjetër me kë do të vinte në pushtet LDK, nëse rrëzohet qeveria e sotme?! Me PDK-në? Unë e shoh se jo pak aleatë të Hashim Thaçit e duan Lidhjen Demokratike në qeveri me PDK-në. Por për mendimin tim nëse ndodh kjo, LDK duhet të llogarisë të zbresë në nivelet e 7-8 përqind. Shumica dërmuese e anëtarëve të LDK-së bëjnë me faj Isa Mustafën që e denigroi parinë me dashurinë e tij të pakthyeshme me emrin PDK e Hashim Thaçit. Kjo e identifikoi LDK-në me një parti “hajdute” pa qenë e tillë. Ndërkohë, dihet se PDK është parti e dytë në zgjedhjet parlamentare dhe ndryshimi i qeverisë pa zgjedhje, pra ndryshimi i mazhorancës me trafik deputetësh, nuk e çon zotin Abdixhiku domosdo në krye të ekzekutivit të Kosovës”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”.