Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi ka thënë sot se situata në veri të Kosovës asnjëherë nuk ka qenë më kaotike.
Sipas saj, deri më tani nuk kemi parë asnjë plan të kryeministrit Albin Kurti, që të dalë nga kjo situatë.
“Kemi një vendim i cili nuk është i bashkërënduar me SHBA-të dhe ende nuk kemi parë asnjë plan të Kurtit për të dalë nga kjo situatë në veri. Situata në veri është shqetësim i shteteve evropiane”, tha ajo në Kanal 10.
Mes tjerash, ligjvënësja opozitare e cilësoi si hipokrizi deklaratën e ministrit të Financave, Hekuran Murati, se rroga mesatare e një polici në Kosovë është 800 euro.
Megjithatë, Krasniqi gjatë debatit është përplasur me kolegen e saj nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ato nuk u pajtuan për veprimet e Kurtit në veri. Ishte Krasniqi, e cila përmendi deklaratën e Kurtit, që kishte përkujtuar ish-politikanin e vrarë serbë, Oliver Ivanoviq.
Ai i thuri lëvdata serbit të dyshuar për krime lufte në Mitrovicë, tha Krasniqi. Gjithashtu, ajo iu drejtua Fejzës së Lëvzijes Vetëvendosje se “një kryetar të ka mbetur i mbyllur dhe për cilin sovranitet po flet në veri”, duke e pasur fjalën për kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
“Ty po të lusin ShBA-të me heqë atë [Hetemin]. Kurti del dhe thotë se ‘sot përkujtojmë jetën e Oliver Ivanoviqit’”.
Nga ana tjetër, Fejza tha se Kosova është palë konstruktive në dialogun me Serbinë.
“S’ka ndonjë tendencë ndaj ndonjë nacionaliteti që jeton në Kosovë. S’mund të bëjmë kompromis me krimin apo bandat kriminale. E dimë çfarë ka ndodhur me zgjedhjet. I kemi parë shantazhet. Institucionet e Kosovës janë në krye të sovranitetit.”, ia ktheu Fajza – Krasniqit.