Mimoza Kusari thotë se shteti duhet të garantojë balancën mes tregut të lirë dhe interesit publik.
Pas miratimit të agjendës legjislative në mbledhjen e Qeverisë, ministrja e Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, ka njoftuar se ka nënshkruar inicimin e procedurës për Projektligjin për çmimet tavan.
Sipas saj, ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur konsumatorët dhe për të garantuar stabilitet në treg. Kusari theksoi se në një periudhë kur inflacioni ka prekur çdo familje, shteti duhet të jetë garant i balancës mes tregut të lirë dhe interesit publik.
“Ky projektligj krijon bazën ligjore për ndërhyrje të shpejtë dhe të drejtë kur përballemi me rritje të papritura të çmimeve, mungesë të produkteve themelore dhe çrregullime në furnizim”, ka shkruar ajo.
Ajo shtoi se qëllimi nuk është ndërhyrja arbitrare në treg, por mbrojtja e qytetarëve nga abuzimi dhe spekulimi në kohë krize.
“Masat janë të përkohshme, proporcionale dhe të orientuara drejt ruajtjes së stabilitetit ekonomik. Duke adresuar edhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese nga e kaluara, po ndërtojmë një kornizë më të fortë, më të qëndrueshme dhe ligjërisht solide. Në një periudhë kur inflacioni ka prekur çdo familje, shteti duhet të jetë garant i balancës mes tregut të lirë dhe interesit publik”, theksoi Kusari.
Edhe kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë deklaroi se prioritet do të ketë Projektligji për çmimet tavan, si dhe ai për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.