Debati në mes të gazetarit, Lirim Mehmetaj, dhe Kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, është duke u shikuar bindshëm më shumë se ai për Prishtinën, që po zhvillohet në “Rubikon” në Klan Kosovën – për herë të parë në këtë fushatë – në mes të kandidatëve për Kryetar të Prishtinës.
Në kohë reale, përballjen Mehmetaj-Lladrovci në “Debat Plus” janë duke e shikuar në platformën YouTube 21 mijë e 987 persona.
Ndërsa, debatin për Prishtinën në “Rubikon” 2 mijë e 241 persona.
Diferenca në shikueshmëri në mes të “Debat Plus” dhe “Rubikon” është mbi 19 mijë.
Debati në mes të Mehmetajt dhe Lladrovcit vjen pasi që VOX Kosova javën e kaluar publikoi një audio-incizim, ku dëgjohet Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, duke biseduar me biznesmenin, Labinot Halilaj, për ndërtime banesash në një prone komunale.
Aty, Lladrovci flet për përfitimet milionëshe në rast se Halilaj do të merrte këtë projekt. Madje, i premton edhe lejim të mbindërtimit.
Kryetari i Drenasit e ka pranuar vërtetësinë audio-incizimit, por pretendon se nuk është i plotë dhe i njëjti është i cunguar e i deformuar.