Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu – Kodra, në seancën e së enjtes e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për qasjen e tij ndaj ndërkombëtarëve, teksa ka kërkuar nga ai që t’i kërkojë falje sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Sipas saj, populli nuk e ka votuar kryeministrin Kurti që të prishë raportet me aleatët.
“Nëse në këtë pikë jemi të gjithë njëzëri, jemi të shqetësuar me nivelin e bashkëpunimit të qeverisë sonë me partnerët strategjikë. Sot, fatkeqësisht, qeveria e udhëhequr nga Kurti i ka mbyllur dyert në diplomacitë e vendeve mike, me të cilët bashkëpunuam më shumë se dy dekada, për shkak të qasjes avantureske të Albin Kurtit kemi më pak sovranitet në pjesën veriore, kemi më pak shtet. Kemi sulm të partisë në pushtet ndaj KFOR-it, ShBA-së. Shumica e popullit të Kosovës që kanë votuar këtë parti asnjëherë nuk kanë votuar për prishje të raporteve me aleatë”, ka thënë Kodra-Deliu.