Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka bërë thirrje për vendosjen e disa parimeve themelore para se vendi të shkojë në zgjedhje të reja, duke theksuar nevojën për stabilitet politik dhe qeverisje me përgjegjësi.
Në një reagim në rrjete sociale, Gashi tha se “partia e parë e dalë nga zgjedhjet duhet të sillet me dinjitet, të ndërtojë partneritet, jo vasalitet”, pasi – sipas tij – politika nuk është garë për nënshtrim, por për besim dhe qëndrueshmëri.
Ai kërkoi që të përfundojë praktika kur partitë e vogla i diktonin kryeministrin partisë fituese, si dhe epoka e koalicioneve të mëdha me subjekte “pa program, pa ideologji dhe pa të shkuar të përbashkët”.
“Bllokadat politike, si kjo që po zgjat gati një vit, janë të rrezikshme për shtetin, për demokracinë dhe për vetë politikën”, shkroi Gashi, duke propozuar që, në rast se partia e parë nuk arrin të formojë shumicën, partitë e tjera të ofrojnë alternativë qeverisëse brenda një afati të shkurtër, përndryshe vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
Ai gjithashtu propozoi që me ligj të ndalohet çdo vendim me efekt elektoral gjatë tre muajve të fundit të qeverisjes, duke shtuar se “qeveritë duhet të punojnë me përgjegjësi gjatë gjithë mandatit – jo të presin fundin për të rritur paga e përfitime për qëllime elektorale”.
Në përmbyllje, Gashi theksoi se LDK-ja ka qenë dhe duhet të mbetet garant i standardeve demokratike:
“Në demokraci, kush bën shumicë, qeveris; kush humb, shkon në opozitë me dinjitet. Vendi nuk udhëhiqet me inat, por me vizion. Nuk udhëhiqet me frikë, por me besim”, përfundoi ai.