Lajme

“Do ta bëj për ty”, Rashiq tregon se si Kurti vendosi t’ia transferonte Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
3:45 / 8 March 2026

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka folur për mediumin lokal serb, Radio Gorazhdevcin lidhur me marrëdhëniet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Ai tha se ka pasur situata kur kanë pasur kundërshtime, por shpjegoi se si Kurti e kishte bërë, siç tha, për shkak të tij, transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit.

Në vitin 2024, Kurti i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale që t’ia transferonte 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, duke thënë se kjo do të ishte vendimtare për anëtarësimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, gjë që më pas nuk ndodhi.

“Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Me vite shpjegoja pse kjo është e rëndësishme. Në fund kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’”, tha Rashiq, siç transmeton Kossev.

Ai shtoi se, edhe pse kjo ishte një detyrim i vjetër gjyqësor që askush më parë s’e kishte zbatuar, fakti që këtë e bëri Albin Kurti me nxitjen e tij ka peshë të veçantë: “Ishte një gjë e madhe që nuk është e natyrës materiale, por diçka shumë më e rëndësishme. Mendoj se kjo duhet vlerësuar”, deklaroi ai.