NGA: FATON MEHMETI
Ka shumë gjëra me të cilat s’jam pajtuar me Albin Kurtin, duke nisur që nga ideologjia, pasuar edhe me disa veprime të tij. Gjithsesi, ajo çfarë më ka bashkuar në mendime me Kurtin është lufta ndaj të keqes, ndaj klasës politike të korruptuar e që për 20 vjet ka rrënuar shtetin. Në krye të së keqes qëndron PDK, klani “Pronto” është sinonim i zullumit të madh ndaj shtetit. Pavarësisht se dy partitë e mëdha opozitare në vend kanë ndryshuar kryetarët, me dy figura të reja, megjithatë duket e vështirë që të jenë konkurrentë të denjë për kryeministrin Kurti.
Janë dy faktorë të rëndësishëm që e bëjnë Albinin të jetë superior ndaj kundërshtarëve të tij; inteligjenca dhe i pa korruptuar, me pak fjalë nuk është hajn. Pavarësisht disa akuzave ndaj Martin Berishës, në biseda jo zyrtare të gjithë e pranojnë se Albini nuk është hajn.
Qytetarët po ashtu kanë jetë bindje, po ashtu e pranojnë se është i mençur. Njeri i lexuar, me botë dhe horizont, Albini është model për të rinjtë, që gjë s’mund të thuhet për kundërshtarët e tij. Këto janë dy aspektet të fuqishme që e mbajnë lart Kurtin në krahasim me të tjerët, shto këtu edhe aftësitë e tija për të gjunjëzuar Vuçiqin dhe fitoret ndaj tij.
Kështu që, mbase të mençur s’mund të bëhen, së paku hajna mund mos të jenë kundërshtarët e tij, me qytetarët që për herë të parë janë të qetë nga frika se qeveria po i vjedh. Albini ka ngritur standardin për të qenë kryeministër, me pak gjasa që të jenë pasardhës të tij, Lumiri, Memli e Ramushi as që bëhet fjalë.