Zgjedhjet në veri të Kosovës pritet të mbahen këtë të diele.
Lidhur me procesin zgjedhor në veri të vendit ka folur edhe Ii dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai ka thënë se SHBA-ja do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, teksa u bëri thirrje serbëve që të kthehen në institucionet kosovare.
“I kam bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne kuptojmë shumë gjëra që ata i shohin si problematike, por duhet patjetër të marrin pjesë. Nëse ata nuk do të merrnin pjesë, kjo nuk do të thotë se ne nuk i mbështesim zgjedhjet. Qeveria e Kosovës ka obligim kushtetues. Do të ketë zgjedhje dhe do t’i njohim rezultatet dhe shpresojmë që serbët të kthehen në institucione”, ka thënë Escobar.
Më tutje Escobar ka folur edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Përfaqësuesi i SHBA-ve thotë se tashmë është koha që të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
SHBA pret që Beogradi dhe Prishtina të ofrojnë një kornizë kohore për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe propozimet fillestare për formimin e Asociacionit ka thënë më tutje Escobar
Theksojmë se Lista Serbe ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje.