NGA: XHAVIT KRYEZIU
Pas Britanisë së Madhe, edhe vetë serbi Dušan Janjić, udhëheqës i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë se është kundër themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe, pasi si i tillë, ai Asociacion “është shumë i dëmshëm dhe i rrezikshëm për shtetin e Kosovës”.
Megjithëkëtë, vetëm për opozitën shqiptare të Kosovës, Asociacioni vazhdon të mbetet “i mirë” për Kosovën! E, si mos të jetë “i mirë” për Kosovën Asociacioni i Komunave Serbe, kur dihet se po kjo opozitë, e cila atëherë ishte në pushtet, e kishte nënshkruar dhe pranuar, dhe madje e kishte duartrokitur në Kuvendin e Kosovës votimin për miratimin e Asociacionit të komunave serbe?!
Dhe, jo vetëm Asociacioni i Komunave Serbe, por për opozitën kosovare, “mirë” për Kosovën ka qenë:
– edhe atëherë kur kjo opozitë, atëherë në pozitë (në pushtet), ia fali Malit të Zi rreth 8300 hektarë tokë shqiptare;
– për opozitën kosovare, “mirë” për Kosovën ka qenë edhe atëherë kur ajo ia fali Maqedonisë rreth 3000 hektarë të tjerë të tokës shqiptare;
– për opozitën kosovare, “mirë” për Kosovën ka qenë edhe atëherë kur një grushti të vogël serbësh, prej rreth 3% të popullsisë së gjithmbarshme të Kosovës, ia fali 10 komuna serbe, të cilat nuk kanë ekzistuar asnjëherë më parë, madje as në kohën e okupimit të egër klasik të Serbisë, në krye të së cilës ka qenë kryekasapi i Ballkanit, Slododan Milošević;
– për opozitën kosovare, “mirë” për Kosovën ka qenë edhe atëherë kur serbëve ia fali pjesën më të pasur të qytetit të Mitrovicës, veriun e saj, përfshirë edhe krejt veriun e Kosovës;
– për opozitën kosovare, “mirë” për Kosovën ka qenë edhe atëherë kur po kjo opozitë, atëherë në pushtet, e shkeli me apo pa vetëdije (nuk ka rëndësi) Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke themeluar Gjykatën Speciale të Hagë. Arsyetimi i opozitës së sotme, atëherë pozitë në pushtet, ishte jobindës, siç është edhe sot – “pastrimi i luftës së UÇK-së”. Se është kështu, këtë e vërtetojnë dënimet shumë të rënda, të cilat kjo gjykatë ka filluar t’ua shqiptojë luftëtarëve të lirisë, të cilët janë përpjekur t’i mbrojnë pragjet e shtëpive të tyre nga barbaria serbomadhe e policisë, paramilitarëve dhe ushtrisë së Serbisë.
Për opozitën kosovare çdo gjë që sot bëjnë të tjerët është “e keqe” për Kosovën. “I keq” për opozitën kosovare është edhe ndërgjegjësimi i popullit të Kosovës, i cili më në fund, e ka kuptuar se bashkësia ndërkombëtare, gjegjësisht “miqtë” tanë, janë rreshtuar hapur në anën e Serbisë!
Sido që të jetë, opozita kosovare as që e ka ndër mend t’ia prish tymin e duhanit “miqve” ndërkombëtarë, madje nuk do t’ia prishin edhe nëse një ditë “miqtë” tanë edhe zyrtarisht do ta shpallin zhbërjen e Republikës së Kosovës! E, çdo të thonë më pastaj “miqtë” se ne vetë nuk kemi qenë të zotë të ndërtojmë shtet!
Thuaje si ta thuash, ditët e këqija për Kosovën mund të vijnë shumë shpejt përderisa ne do të vazhdojmë të përçahemi dhe ta luftojmë njëri-tjetrin dhe nuk bashkohemi si një komb i tërë.
Është koha e fundit, sa nuk është bërë shumë vonë, se vonë jemi gjithsesi, që të bëhemi tok së bashku, të flasim me një gjuhë të vetme, dhe të dalim hapur para botës: duam bashkimin kombëtar në një shtet të vetëm Shqiptar!