Dronët turq “Bayraktar TB-2” tashmë janë në bazat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa oficerët kosovarë e kanë kryer trajnimin për përdorim dhe janë të gatshëm për urdhra. Kështu u la të nënkuptohet nga kryeministri Albin Kurti, i cili ka njoftuar se dronët turq kanë arritur në Kosovës. Ekspertët e sigurisë thonë se Bayraktar-i është një ndër dronët më të sofistikuar në botë, dhe mund të operojë dhe të mbrojë në të gjithë territorin dhe kufijtë e Kosovës pa asnjë problem.
Bayraktar-i” është mit në Ukrainë e shpresë për ushtarët që po i bëjnë ballë Rusisë.
Me shpejtësi rreth 220 kilometra në orë, droni turk në qiell mund të fluturojë mbi 27 orë pa ndërprerë.
Droni që shkatërron tanke, mjete të blinduara, e sisteme anti-raketore tashmë është edhe në duart e Ushtrisë së Kosovës.
Sa dronë i ka blerë Kosova nga Turqia nuk dihet, por “Bayraktar-i“ turk, është prezantuar zyrtarisht në njërën nga bazat e FSK-së.
“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia! Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë. Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare! Me Komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe Ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj përgëzuam oficerët që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e kësaj arme të fuqishme”, ka thënë Albin Kurti, Kryeministër.
Për ta blerë dronin e pakapshëm nga radari i cili fluturon në dhjetëra kilometra lartësi, nuk ka qenë e lehtë sipas Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.