Ai radhit disa nga gjërat që mund të ndodhin nëse nuk ndëshkohet Serbia duke përfshirë këtu që nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor.
“Deklarata e kryeministrit Kurti, se nëse sulmi terrorist i 24 shtatorit i udhëhequr nga banditi dhe krye-krimineli M. Radojçiq, nuk do të ndëshkohet nga BE-ja, Serbia do t’i përsëris krimet dhe sulmet ndaj Kosovës, nënkupton disa gjëra;
Në rend të parë, se vazhdimi eventual i përkëdheljes së Serbisë nga faktorët ndërkombëtarë, nuk do të sjellë kurrë paqe dhe stabilitet në Ballkanin perëndimor, kur dihet se regjimi fashist i Beogradit zyrtar në krye me racistin A. Vuçiq, për asnjë çast nuk ka hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës.
Së dyti, mos ndëshkimi eventual i Serbisë nga BE-ja, Anglia dhe SHBA-të, do ta inkurajon regjimin hegjemonist të Beogradit zyrtar, që ta forcojë dhe armatos edhe më shumë ushtrinë e tij kriminale me armë të reja të sofistikuara, të cila në rast të konfliktit eventual të armatosur në veri të Kosovës, do t’i përdorte ato armë, duke ndërhyrë me ushtrinë e saj, kinse në mbrojtje të popullatës serbe, për ta krijuar një gjendje të re në teren, e që pastaj gjatë negociatave me KFOR-in dhe EULEX-in ta negocioi autonominë e serbëve në veri, ose dhe shkëputjen e tij të plotë nga Kosova.
Së treti, nëse regjimi fashist i Serbisë nuk do të ndëshkohet ditëve në vijim nga BE-ja dhe SHBA-të për sulmin kriminal dhe aktin terrorist ndaj Kosovës me 24 shtator në fshatin Banjskë afër Zveçanit, kur vranë rreshterin e policisë së Kosovës, tani heroin Afrim Bunjaku, nënkupton qartë se regjimi serb dhe kreu i tij, A. Vuçiq, do të vazhdojë me provokime të reja në veri të Kosovës përmes Listës serbe dhe bandave të saj, anëtarë të grupit “Mbrojtja civile” dhe “Brigadat e Veriut”, të shpallura nga qeveria jonë si grupe terroriste në Kosovë”, shpjegoi analisti.
Më tej, ai theksoi që pala e Kosovës duhet të veprojë ashtu siç po kërkojnë disa zëra në Prishtinë, se nuk ka kthim në dialog me Serbinë, pa u ndëshkuar regjimi kriminal i Serbisë me masa konkrete.
“Pra, do vazhdojnë të organizojnë sërish protesta, sulme ndaj policisë së Kosovës si dhe ngritje të barrikadave, në emër të gjoja mbrojtjes së serbëve lokal në veri nga “terrori i Albin Kurtit”, siç po e përsëritë këtë rrenë morbide “Putini i vogël”, pra A. Vuçiq në çdo konferencë me gazetarë si dhe në takimet ndërkombëtare, siç ishte samiti i fundit i liderëve evropianë në Granada të Spanjës etj.
Prandaj, pala e Kosovës duhet të veprojë ashtu siç po kërkojnë disa zëra në Prishtinë, se nuk ka kthim në dialog me Serbinë, pa u ndëshkuar regjimi kriminal i Serbisë me masa konkrete, i cili, jo vetëm që e ka ditur se krimineli Radojçiq po përgatit sulm terrorist në veri të Kosovës, por është vetë kreu i shtetit serb, A. Vuçiq, ai i cili e ka mbështetur dhe armatosur këtë grup prej 90 paramilitarëve, një ndërmarrje e përbashkët kriminale kundër Kosovës, për ta okupuar e veriun e Kosovës dhe më pas edhe aneksimin e tij Serbisë”, thotë ai.
Ndër të tjera, analisti shtoi që skenari i Serbisë u shua me anë të kundërpërgjigjes së fortë që Kosova i dha.
“Mirëpo, dha Zoti dhe skenari i tyre antishqiptar dhe terrorist ndaj Kosovës iu dështoi me turp dhe humbje të mëdha në njerëz dhe armatim, pranë të cilës humbje, regjimi fashist i Serbisë nuk do të ndalët nga provokimet e reja ndaj shtetit të pavarur të Kosovës, qoftë me sulme të reja terroriste, qoftë duke ndërmarrë aksione tjera diplomatike në arenën ndërkombëtare.
Mendoj, se derisa në Serbi të jenë në pushtet politikanët ekstremist radikal dhe ultra-nacionalist e serbomëdhenj, siç është A: Vuçiq, nxënës i kriminelit të luftës V. Sheshel, A. Vulin, M. Drecun, A. Bërnabiq, ministri i mbrojtjes, çetniku ordiner, Millosh Vuçeviq, dhe shumë të tjerë, Kosova, por as Ballkani perëndimor nuk do të kenë kurrë qetësi, stabilitet dhe siguri për popujt e këtij rajoni”, foli Elezaj për “Bota sot”