Mitrovicë- Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë të Kosovës në rajonin e veriut, ka thënë se qëllimi i Policisë në aksionin në fshatin Banjskë, nuk ka qenë vrasja e 30 sulmuesve, por lirimi i territorit nga grupi i armatosur.
“Planifikimi nga policët në vendngjarje ka qenë shumë i mirë, konsideroj se ka qenë më e mira e mundshme që është arrit. S’kemi pas qëllim me i vra 30 vetë. S’kemi pas qëllim me vra asnjë njeri. Qëllimi jonë është me marrë territorin tonë që është vendi jonë, me e liru këtë vend prej grupeve të organizuara kriminale. Nëse ka pasur të lënduar e viktima ishte pjesë e procesit. Konsiderojmë se e kemi arritur misionin tonë që me sa më pak dëme të atë që kemi dashtë. Në asnjë moment, fshatarët e këtij vendi nuk kanë qenë të lënduar”, ka thënë Elshani.
Këtë deklarim, ai e bëri para mediave, pas hapjes së rrugës për në fshatin Banjskë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai tha se mendon që hetimet nuk do të përfundojnë edhe për një kohë të gjatë për të kuptuar se cili ishte qëllimi të zgjedhet Banjska për këtë sulm.
“Bastisja, kontrolli sa i përket zonës së banimit ka përfunduar. Kemi bë kontroll goxha të mirë edhe të rrethit, por nuk autorizohet lëvizja e juaj në këtë vend sepse ka mundësi të ketë mjete të paeksploduara sepse kemi gjetur shumë nëpër mal”, tha Elshani, i cili shtoi se edhe në ditët në vjim do të ketë ekipe që do të bëjnë kërkime në vende të caktuara.
“Autorizimi për juve (mediat) është bërë pas konsultimeve me eprorët tonë që të mos ketë terr informativ, dhe ju kemi leju me ardhë këtu edhe juve edhe të tjerëve, por konsiderojmë se rreziku s’ka kaluar ende edhe pse konsiderojmë se një numër të madh të pajisjeve dhe gjësendeve i kemi gjetur”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se barrikadat kanë qenë në urë dhe se aty është vrarë polici Afrim Bunjaku.
“Ka pas shkëmbim dhe më pas kanë ardhur njësitet tjera shtesë dhe nga aty ka nisë”, ka thënë Elshani.
Elshani ka thënë po ashtu se Policia është e përgatitur dhe ka komunikim me KFOR-in, për raste të ngjashme të grupeve të armatosura.