Lajme

‘Era zgjedhje’: Për çka po bëjnë fushatë LDK-ja dhe AAK-ja?

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
11:22 / 10 September 2022

“Në vjeshtë pritet rënia e Qeverisë Kurti II”, kjo deklaratë e shefit të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, u komentua shumë, e madje mori edhe reagime të ashpra nga pushteti. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në anën tjetër, po konsideron se është koha që Ramush Haradinaj të bëhet kryeministër. Të dyja këto parti, kanë nisur bashkëbisedime me qytetarët si të ishte fushatë.

Qeveria Kurti II po udhëheq vendin, deri më tani, dihet se nuk ka zgjedhje deri në vitin 2025.

Por, si të ishte kohë fushate, dy partitë opozitare, LDK e AAK kanë nisur bashkëbisedime me qytetarët, ndërsa “zgjedhjet” dhe “koha për kryeministër të ri”, po përmenden nga ato.

AAK nis daljen në terren

Nga 7 shtatori, partia e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ka nisur takime me qytetarë nëpër qytete të ndryshme. Së pari, shkuan në Prizren.

Haradinaj përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, konsideroi se këto janë kohë të ndjeshme për qytetarët e Kosovës, që kërkojnë edhe bashkëbisedim.

“Do fillojmë sot me një cikël bisedimesh me qytetarët tanë. Nisim në Prizren, për të vazhduar ditëve tjera në qendra të tjera. Jeni të mirëseardhur të flasim hapur, të ndajmë brengat tona, të kërkojmë dhe të gjejmë zgjidhje”, ka shkruar Haradinaj.

Para një jave, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se Haradinaj e ka radhën që të bëhet kryeministër sërish.

Në një shkrimi në Facebook, Tahiri numëroi “disa të arritura”, që sipas tij janë bërë sa Haradinaj ka qenë kryeministër.

LDK drejt qyteteve dhe fshatrave

Në javët në vazhdim, Lidhja Demokratike e Kosovës do të vizitojë qytete e fshatra të ndryshme.

Siç bëri të ditur deputeti Avdullah Hoti, në këto vizita të flasin me qytetarë dhe iznese.

“Do të bisedojmë për sfidat nëpër të cilat po kalojmë në vitin e dytë të qeverisjes së majtë dhe për qasjen tonë në adresimin e këtyre sfidave. Ju presim për të dëgjuar vlerësimet, kritikat dhe propozimet e juaja”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Nuk dihet se pse po mbahet kjo “fushatë” e dy partive opozitare, por siç u përmend edhe më lartë, Arben Gashi i LDK-së me shumë bindje kishte folur për rënie të Qeverisë.

“Në vjeshtën e vonshme pritet të ketë rënie të Qeverisë Kurti 2″, kishte deklaruar Gashi në RTK.

Ky i fundit, kishte folur edhe për përçarjet brenda grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se deputetë të partisë në pushtet kanë shprehur interesim për të kaluar në LDK.

Sa i përket Partisë Demokratike të Kosovës, këta nuk kanë paralajmëruar bashkëbisedime të tilla me qytetarë.

Megjithatë, e njëjta mbajti gjatë javës që po lëmë pas takime dy ditore me strukturat e partisë, ku është folur për situatën në vend.

Nënkryetari i këtj subjekti, Xhavit Haliti, pas mbajtjes së takimeve shkurt në Facebook la një shkrim “Gati…”, por nuk tregoi se për çfarë po qëndron gati partia