Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka publikuar një videomesazh me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, duke theksuar dhimbjen e freskët për viktimat boshnjake dhe dështimin e bashkësisë ndërkombëtare për ta ndaluar këtë tragjedi.
“Edhe pse kanë kaluar 30 vjet nga gjenocidi në Srebrenicë, dhimbja për vëllezërit dhe motrat tona boshnjake është ende e freskët. Fakti që bashkësia ndërkombëtare nuk mori përgjegjësinë për të ndaluar gjenocidin është një lëshim që do të mbahet mend si turp”, deklaroi Erdogan.
Ai përmendi se thelbi i thirrjes së vazhdueshme të Turqisë për reformimin e Kombeve të Bashkuara është lufta kundër mentalitetit të mosveprimit, të përshkruar në shprehjen “rroftë një mijë vjet gjarpri që nuk më kafshon”.
“Në këtë luftë, fjalët e të ndjerit Alija Izetbegoviq vazhdojnë të ndriçojnë rrugën tonë: ‘Çfarëdo që të bëni, mos harroni gjenocidin, sepse një gjenocid që harrohet do të përsëritet’”, shtoi presidenti turk, duke vlerësuar miratimin e Rezolutës për Srebrenicën si një përpjekje të fortë kundër gjenocidit.
Erdogan gjithashtu kritikoi heshtjen ndërkombëtare për ngjarjet aktuale në Gaza, duke theksuar se kjo dëshmon se bashkësia ndërkombëtare nuk ka nxjerrë mësimet e duhura nga Srebrenica.
Ai përfundoi mesazhin e tij me një paralajmërim për qeverinë izraelite dhe një premtim për mbështetje të pakushtëzuar nga Turqia:
“Askush të mos dyshojë në mbështetjen tonë të pakushtëzuar. Turqia do të vazhdojë të përmbushë përgjegjësinë e saj për të ruajtur paqen, sigurinë dhe stabilitetin”.