Lajme

Eurodeputeti Thomas Waitz: Masat ndëshkuese ndaj Kosovës janë të padrejta, duhet të hiqen

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
4:17 / 23 December 2024

Eurodeputeti austriak, Thomas Waitz, thotë se është nevojshme që të ketë një format të ri të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë meqë ka një kohë që gjerat nuk po lëvizin në drejtimin e duhur. Ai ndër të tjera ka kërkuar që të largohen masat ndëshkuese ndaj Kosovës që sipas tij janë të padrejta.

Ka besim që me komisionin e ri evropian, Kosova do të bëjë më shumë progres në rrugën drejt integrimeve evropiane.

Eurodeputeti austriak, Thomas Waitz, thotë se shefja e re e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, do të angazhohet më shumë për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Waitz thekson se ka ardhur koha që brenda BE-së të flitet njëzëri për Kosovën andaj pret që brenda bllokut të punohet më shumë me ato 5 vende që akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të ndryshojnë qëndrim.

Ai e sheh si sinjal pozitiv që Spanja ka vendosur t’i njoh pasaportat e Kosovës.

“Kam besim se do të ketë më shumë progres me përfaqësuesen e lartë, Kaja Kalas, sepse e njeh mirë realitetin politik në Ballkan. Pres se do të ketë shumë më shumë angazhim për Ballkanin Perëndimor. Shpresoj që do të punohet më shumë me ato 5 vende që akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Së fundmi ishte një sinjal pozitiv që Spanja vendosi t’i njoh pasaportat e Kosovës. Ka akoma shumë brenda Bashkimit Evropian për t’i  përmirësuar këto çështje dhe për të folur njëzëri për Kosovën”, tha Waitz në Teve1.

Diplomati austriak ka nënvizuar rëndësinë që të ketë progres edhe në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Waitz mendon se është e nevojshme që të ketë një format të ri të dialogut në mes të dyja vendeve.

“Në përgjithësi mendoj se ne kemi nevojë për një fillim të ri të këtij negocimi, ndoshta një format të ri dialogu dhe kjo është duke u diskutuar mes deputetëve të Parlamentit Evropian. Është e rëndësishme që të dyja palët të bëjnë kompromise edhe të lëvizet përpara. Ka disa shtete dhe individë që duket se e trajtojnë më butë Serbinë dhe unë jam shumë kritik për këtë çështje sepse Serbia nuk po bën progres sa duhet në nivelin e demokracisë. Në fakt nuk është problemi tek Serbia por tek qeveria e Vuçiqit që i frynë nacionalizmit dhe nxit urrejtje mes njerëzve”, tha eurodeputeti austriak.

Krejt në fund, Waitz kërkon që të largohen masat ndëshkuese ndaj Kosovës që sipas tij kanë qenë të padrejta.

“Konsideroj se ishte padrejtë kur iu vunë masat ndëshkuese Kosovës duke pasur i parasysh veprimet e Serbisë. Mendoj se ka ardhur koha që këto masa ndëshkuese të hiqen për Kosovën dhe për këtë çështje është duke u folur në Bruksel”, tha ai.

Unioni Evropian vazhdimisht i ka bërë thirrje vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor që t’i zgjidhin mospajtimet ndërmjet vete në mënyrë që të përshpejtohet procesi i zgjerimit.