Eurodeputetja holandeze, Tineke Strik para deputetëve të Parlamentit Evropian(PE), ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq me vite të tëra në heshtje është lejuar ta minojë stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas deputetes Strik, një gjë të tillë e bëjnë autokratët sikur Vuçiq kur nuk ndëshkohen.
“Të gjithë ishim të shokuar kur një bandë serbe e armatosur rëndë me lidhje të forta në dukje me qeverinë serbe, u fut në Kosovë dhe vrau brutalisht një oficer policie. Të tronditur, por jo të befasuar”.
“Pasi këtu të çon strategjia e kënaqjes të cilin e aplikon Bashkimi Evropian. Me vite ne në heshtje kemi lejuar Vuçiqin ta minojë stabilitetin në rajon, të mbetet përkrahës i Kremlinit, t’i shkatërrojë të drejtat e minoriteteve në vendin e vetë. Ne e trajtojmë atë si mik, duke e nxitur të shkojë edhe më larg. Këtë bëjnë autokratët kur kanë mosndëshkueshmëri. Është dashur ta mësojmë mësimin me Putinin”, është shprehur deputetja holandeze Strik.
Eurodeputetja më tej ka theksuar se pas ngjarjeve të 24 shtatorit në veri, është koha që liderët e BE-së të zgjohen nga “gjumi”.
“Situata e sigurisë në Ballkan është mjaft e rrezikshme”, ka thënë ajo.