Lajme

Fadil Geci nesër dëshmon në Hagë për komunikatën 59

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
8:14 / 20 October 2024

Halil Geci, ka njoftuar se vëllai i tij, ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Geci, ka udhëtuar për në Hagë, ku do të dëshmojë në Gjykatën Speciale.

Këtë, Halili e ka bërë të ditur përmes një postimi në platformën sociale, Facebook.

Halil Geci tha se dëshmia e vëllait të tij Fadilit do të jetë e hapur ku sipas tij, kjo dëshmi do ta vërtetojë edhe çështjen e Komunikatës 59.

“Miq të mi. Ju informojmë të gjithë juve që jeni të interesuar për ta përcjellë dëshminë e hapur të vëllait tonë Fadilit për publik të cilën e kemi kërkua neve vetë nga gjykata që seanca të jetë e hapur, por gjykata e ka ndërruar orarin nga ora 9:00 e paradites që ishte ditën e hënë, e kanë shtyrë në ora 13:00 pasdite. Ju kërkojmë falje ngase asgjë nuk është në dorën tone. Ngjan që prapë e ndryshojnë por dijeni ju miqtë tanë se dëshira e jonë është të përballemi sy më sy me shkruaresin e Komunikatës 59”, shkroi Halil Geci.

Zyra e Prokurorit të Specializuar të hënën ka dhënë deklaratën hyrëse në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Prokuroria paraqiti disa komunikata, në mesin e tyre edhe komunikata e 59-të.

Sipas Prokurorisë këto vërtetojnë se Shtabi i Përgjithshëm ndoqi një politikë të shënjestrimit të kundërshtarëve.

Për komunikatën numër 59 kishte folur në muajin prill, 2023 edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, Marigona Geci, e cila është vajza e Gani Gecit.

Deputetja Geci duke u bazuar në një deklaratë të Rexhep Selimit kishte thënë se ish-presidenti Thaçi përmes telefonit ia kishte lexuar tekstin e komunikatës numër 56 Selimit dhe kur ai e kishte pyetur ish-presidentin Thaçi se pse kishte thënë në këtë komunikatë një të pavërtetë për Gani Gecin, Thaçi kishte thënë “që ta shkatërrojmë plotësisht”.

“Në vitin 1998, pas shkrimit të kësaj komunikate famëkeqe dhe ogurzezë, vëllai ynë Fadil Geci kishte shkuar në Brojë në shtëpinë e Hashim Thaçit për të kërkuar sqarime rreth kësaj komunikate të pabazë e të paskrupullt. Aty ishte takuar me babanë e Hashim Thaçit dhe vëllanë e madh të Hashim Thaçit, Gani Thaçin” – ka thënë Geci

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020 dhe po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) më 27.02.2023 e kishte dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.