Peci akuzon gazetarë dhe drejtues mediash për shpifje, fyerje dhe nxitje të urrejtjes, pas deklaratave në RTV Dukagjini.
Faton Peci ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Lirim Mehmetajt, Ekrem Llukës dhe Ermal Pandurit, pas një emisioni televiziv ku, sipas Pecit, ai u ofendua rëndë.
Në një deklaratë publike, Peci tha se mbrëmë, më 11 nëntor 2025, në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, gazetar Lirim Mehmetaj e ka quajtur atë “kriminel” dhe e ka krahasuar me Sllobodan Millosheviqin, duke e cilësuar këtë krahasim si ofendim të rëndë dhe fyerje ndaj tij dhe qytetarëve që ai përfaqëson.
“Ky krahasim absurd dhe i qëllimshëm, i bërë publikisht, përbën rrezik për jetën time dhe të familjes, ngjall urrejtje dhe synon lëndimin e integritetit tim personal”, tha Peci, duke theksuar se nuk është rasti i vetëm i deklaratave të papranueshme nga Mehmetaj.
Ai njoftoi se do të deponojë kallëzim penal për veprën “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” dhe veprime të tjera të përcaktuara në Kodin Penal të Kosovës. Për më tepër, Peci paralajmëroi se do të nxisë procedura ligjore edhe ndaj RTV Dukagjini dhe drejtuesve të saj, duke akuzuar për orkestrim të një fushate sulmuese kundër tij, që sipas tij po vazhdon prej një viti e gjysmë.
Në deklaratën e tij, Peci theksoi se drejtuesit e medias, përfshirë pronarin Ekrem Lluka dhe drejtuesin e programit Ermal Panduri, duhet të përgjigjen para gjykatës për përhapje të urrejtjes, shpifje dhe denigrim të figurës së tij publike dhe politike.