Pas barazimit me Sllovakinë 1:1 në ndeshjen e parë, Përfaqësuesja U19 e Kosovës ka shënuar fitore të thellë në kualifikimet për “Euro 2024”.
Kosova U19 të shtunën në “Ta’ Qali” të Maltës që është nikoqire e grupit, mposhti thellë Ukrainën e kësaj grupmoshe me rezultatin 4:0. Elvir Gashijani realizoi dy gola.
Fillimisht shënoi në minutën e 22-të, ndërsa për 2:0 realizoi Eliot Bujupi. Gashijani e trefishoi epërsinë në minutën e 79-të.
Golin e fundit në ndeshje e realizoi Elmedin Rama, në minutën e dytë të kohës shtesë. Me këtë fitore, Kosova U19 i prinë Grupit 7 me katër pikë në dy ndeshje.
Ukraina mbetet me tri pikë. Ndeshjen e fundit, “Dardanët” e rinj e zhvillojnë më 21 nëntor kundër Maltës. Dy vendet e para në grup kualifikohen në “Elite Round”.
Faza finale e turneut në Irlandën e Veriut zhvillohet prej 15 deri 18 korrik.
Pas ndeshjes, futbollistët kanë festuar në mënyra të ndryshme pas fitores.
Aty vërehet edhe flamuri “Dardan” i propozuar për flamur shtetëror, nga ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.
Publikimi i flamurit dhe propozimi për flamur shtetëror të Kosovës është bërë në vitin 2001 nga vetë kryetari i atëhershëm i Kosovës.
Reagimet ndaj propozimit kanë qenë të ndryshme, që nga adhuruesit e deri te kundërshtimi i hapur që u shpreh edhe me revolta. Pas publikimit një pjesë e popullit të Kosovës ka filluar ta quajë “Flamuri i Dardanisë”.