Sipas ish-deputetit dhe ish-luftëtarit të UÇK-së, Gani Geci, dje në Drenas ka ndodhur një zhvillim i rrallë politik. Ai thotë se Ramiz Lladrovci, në një garë politike ndryshe nga zakonisht, ka arritur të mposhtë SHIK-un dhe të gjitha grupet parapolitike që kanë vepruar në këtë komunë për vite me radhë transmeton kosovaime.tv.
Në një reagim të tij publik, Geci ka theksuar se Lladrovci – së bashku me disa bashkëluftëtarë – ka arritur të mundë 16 deputetë të PDK-së nga Drenica dhe të përballet me strukturat politike e prapolitike që, sipas tij, kanë pasur ndikim të madh në rajon.
“Edhe pse Ramizi, në gjenezë, është brumë i njëjtë politik i LPK-së, PDK-së dhe LVV-së, unë, Gani Geci, i uroj fitoren e bindshme Ramiz Lladrovcit. I lumtë!”, – ka shkruar ai.
Në pjesën pasuese të statusit, Geci ka përmendur edhe periudhat e para të luftës në Kosovë, duke kujtuar se pas aksionit të parë kundër forcave serbe më 7 korrik 1992 – të kryer nga grupi i Llaushës (Gani Geci, Xhevahir Geci dhe Agim Geci) – Ramiz Lladrovci kishte realizuar aksionin e dytë kundër forcave serbe, në shtator të vitit 1992, në stacionin e autobusëve në Drenas.
Sipas Gecit, kjo fitore politike e Lladrovcit përbën një moment të rëndësishëm për Drenicën dhe për dinamikat politike në Kosovë.