9:31 / 11 August 2022
Shkruan Lirim Gashi
Dikush e krahasoi Naim Ternavën me Albin Kurtin, duke thënë se të dy kanë përdorur njerëz, vota dhe materiale të pista për të fituar pushtetin dhe për ta mbajtur atë sa më gjatë që është e mundur.
Ngjashmëria e veprimeve, për mendimin tim, konsiston vetëm në fitimin e pushtetit dhe arritjen e dy qëllimeve që në pamje të parë duken të njëjta, por që në pamje të dytë janë diametralisht të ndryshme.
Naim Ternava donte të vinte në pushtet për të qëndruar sa më gjatë dhe për t’u pasuruar sa më shumë, ndaj futi shumë vehabistë dhe selefitë në bashkësinë e tij private islame, të cilët më vonë e mbështetën me vota dhe para.
Sepse pushteti dhe paraja janë Zoti i tij i vetëm. Dëshmi për këtë janë fëmijët e tij të pasur, të cilët mund të blejnë lehtësisht Ferrari, Jahta private dhe Lamborghini.
Nga ana tjetër, Albin Kurti donte të vinte në pushtet me sa më shumë vota, jo për t’u pasuruar, por për të zbatuar idealet e tij, për të cilat e bindi popullin sa ishte në opozitë, se ishin të pastra si loti.
Prandaj futi në partinë e tij lloj-lloj plehrash nga të gjitha rrymat, ideologjitë dhe drejtimet politike e fetare, por harroi se nuk mund të punohet me njerëz dhe gjëra të pista pa i bërë duart pis. Dhe kur individi ndot duart, ai për shkak të ndërgjegjes së keqe herë pas here mban kokën me të dyja duart dhe pa vetëdije ndot fytyrën.
Aktualisht Naim Ternava dhe Albin Kurti kanë nevojë për njëri-tjetrin si syri për vetullen edhe pse kanë synime diametralisht të ndryshme, ndaj vështirë se do të ndahen.
Albini ka nevojë për votat e Bashkësisë Islame të Naimit, ndërsa Naimit i duhet leja e heshtur e Albinit për të imponuar dhe zbatuar agjendat e donatorëve të tij në shoqëri dhe politikë.
Pyetja është: Deri kur do ta durojë Albini këtë lojë të Naim Ternaves me nervat e tij dhe me nervat e votuesve të tij laikë? Por ai që peshkon vota të ndyra në një moçal të ndyrë bretkosash, dhe jo vota të pastra në një det të pastër, e ka vetë fajin.