Avokati Tomë Gashi, në emisionin “Këndi i debatit” ka deklaruar se është absurde ideja që një prokuror të marrë në hetim apo të akuzojë 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës.“Është e paimagjinueshme që një prokuror, kushdo qoftë ai, të marrë në hetim 120 deputetë dhe t’i akuzojë për çfarëdo vepre penale. Këta deputetë nuk kanë kryer ndonjë vepër penale – ata janë në mandatin e tyre dhe kanë të drejtë ligjore e kushtetuese për të vepruar ashtu siç po veprojnë,” deklaroi Gashi.
Sipas tij, i vetmi “dënim” që mund t’i pret deputetët është ndëshkimi nga qytetarët në zgjedhjet e ardhshme.“Nuk pres ndonjë pasojë tjetër për ta, përveç asaj që qytetarët do t’i shohin dhe vlerësojnë në të ardhmen me votë.”
Sa i përket Presidentes Vjosa Osmani dhe kërkesës së saj të dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Gashi thekson se ka pasur vonesë, por thekson se nuk është vonesë fatale.“Është e vërtetë që është vonuar. Ajo vet e tha se kanë mbetur vetëm edhe katër ditë deri në skadimin e afatit kushtetues. Këtë kërkesë ka mundur ta paraqesë që në ditën e parë – nuk është ndonjë filozofi e madhe.”
Ai shtoi gjithashtu se nuk është hera e parë që nuk respektohet një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, duke vënë theksin te qëllimi i deputetëve.“Edhe në të kaluarën janë shkelur aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Deputetët, me bindjen që nuk po bëjnë shkelje, po vazhdojnë të veprojnë.”
Lajme
Gashi për krizën aktuale politike: ‘S’është hera e parë që shkelet Kushtetuta’
10:28 / 22 July 2025