Lajme

Gazeta prestigjioze gjermane: Grenelli po ndërhyn në zgjedhjet në Kosovë

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
3:45 / 6 February 2025

Ndërhyrje të drejtpërdrejt në fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, e ka cilësuar e përditshmja gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), postimin e emisarit Richard Grenell, kundër kryeministrit Albin Kurti.

Në një artikull të publikuar nga gazeta gjermane, “FAZ”, thuhet se Richard Grenell po synon që në Kosovë të emërohet një kryeministër që do të bindet ndaj urdhrave të tij.

“Kur presidenti amerikan, Donald Trump, e emëroi Richard Grenellin si emisarin e tij për misione të posaçme, ai deklaroi se do të punonte “në disa prej pikave më të nxehta në botë, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut”. Në interpretimin e emisarit të Trumpit, Kosova është po ashtu një pikë e tillë, sepse para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Grenelli ka ndërhyrë drejtpërdrejt në fushatën zgjedhore në Kosovë, ka shkruar të enjten gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ).

Artikulli i të përditshmes gjermane vjen si shkas i një postimi të emisarit Grenell në rrjetin e tij social X.

Më 3 shkurt, Grenell kishte postuar një mesazh të fuqishëm ku ndër të tjera thoshte se “Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”.

Sipas Grenellit, Kurti nuk kishte qenë asnjëherë partnerë me Amerikën, pasi që ai nuk i ishte bindur as Clintonit, Bidenit, Obamas e as udhëheqjes gjatë mandatit të parë të presidentit Trump.

Në fund, Grenelli kishte bërë thirrje që të mos besohet kryeministri Kurti pasi që ai është një gënjeshtar.

Mesazhi i Grenellit u bë edhe më bindës kur djali i Donald Trump, Trump Jr, e ka rishpërndarë mbrëmë postimin e emisarit për Misione të Posaçme.