10:44 / 4 January 2025
Nga Halil Geci
Kur dikush flet keq për vëllanë e tij, natyrshëm duhet të pyesim:“Si mund të respektojë dikë tjetër, kur nuk respekton as vëllanë e vet? Ai që fyen dhe nënçmon më të afërmin e tij, ka bërë një akt të ulët, por në të njëjtën kohë ka treguar se vlen shumë pak në sytë e të tjerëve.”
Ky është një reflektim i pastër i një karakteri të dobët. Njeriu i tillë nuk ka as bazë morale, as respekt për veten, e jo më për të tjerët. Për një person që fyen vëllanë e tij, çdo fjalë që thotë bëhet e pavlerë. Në fakt, fyerja dhe nënçmimi që ai përpiqet t’u bëjë të tjerëve, vetëm sa e demaskon karakterin e tij të dobët.
Shembulli më i mirë i këtij fenomeni është sjellja e Edi Ramës ndaj Albin Kurtit. Kudo që Rama flet për Kurtin dhe Kosovën, nuk ngurron të përdorë fyerje dhe nënçmime, madje edhe para ndërkombëtarëve.
Por Albin Kurti, përkundër kësaj, gjithmonë qëndron i qetë, i matur dhe i fortë në përgjigjet e tij. Kur Rama ul nivelin e tij, Kurti e thumbon me heshtje dhe integritet, duke treguar se fyerjet flasin më shumë për ata që i thonë, se sa për ata që janë cak i tyre.
Kjo sjellje nuk është vetëm mungesë respekti ndaj një bashkëkombësi, por edhe një akt që dëmton marrëdhëniet shtetërore dhe besimin mes njerëzve. Nëse një njeri flet keq për vëllanë, çfarë mund të presësh nga ai për ty? Ai që tradhton familjen dhe vëllezërit e tij, është i gatshëm të tradhtojë dyfish më shumë edhe ata që i konsideron miq.
Në fund, një gjë është e sigurt:
Respekti fillon nga vetja dhe familja. Nëse nuk ke këtë themel, çdo gjë tjetër që thua është e pavlerë. Ai që flet keq për ata që e kanë dashur dhe çmuar, vetëm sa tregon nivelin e ulët të karakterit të tij. Njerëzit do të gjykojnë gjithmonë një person nga mënyra se si trajton më të afërmit e tij.
Për këtë arsye, është më mirë të ruash respektin dhe dinjitetin, edhe në rastet kur ka mosmarrëveshje. Fjalët e keqia nuk i bëjnë dëm atij që sulmohet, por janë një dënim për ata që i thonë. Kjo është arsyeja pse njerëzit me themel të fortë, si Kurti, qëndrojnë të palëkundur, ndërsa ata që jetojnë me fyerje dhe nënçmime, si Rama, humbasin respektin dhe besimin e gjithkujt.
Prandaj, ai që flet keq për vëllanë, jo vetëm që tregon mjerimin e karakterit të tij, por edhe dëmton veten më shumë se këdo tjetër.