3:38 / 3 January 2025
Megjithatë, me kalimin e viteve, LDK-ja nisi të rrëshqasë drejt humnerës së tradhtisë dhe sabotimit të vizionit rugovian.
Kjo rrëshqitje nuk ndodhi nga jashtë, por nga brenda vetë strukturave të saj. Figura si Isa Mustafa dhe mbështetësit e tij, si dhe Bujar Bukoshi me lidhjet e tij të dyshimta, luajtën rol kryesor në këtë shthurje. Ata ndërprenë udhëtimin historik të LDK-së, duke e kthyer atë nga një parti e idealeve kombëtare në një vegël të interesave personale dhe grupore.
Isa Mustafa, me “kompaninë” e tij, shndërroi partinë në një instrument të interesave të ngushta, duke minuar vlerat dhe idealet e Rugovës. Nga ana tjetër, Bujar Bukoshi, me aleanca të dyshimta dhe bashkëpunime që shkonin përtej interesave të Kosovës, kontribuoi në ngritjen e strukturave që shkatërruan aspiratat e popullit dhe shërbyen vetëm për interesat e një grupi të vogël profiterësh.
Kryetari aktual, Lumir Abdixhiku, me veprimet e tij ka thelluar më tej këtë devijim. Kur ai deklaroi publikisht se “LDK-ja identifikohet me emrin Lumir”, duke distancuar partinë nga trashëgimia dhe simbolika e saj historike, ai shënoi një kapitull të ri të shkëputjes së LDK-së nga rrënjët e saj. Në vend të një force politike që përfaqësonte popullin dhe vizionin rugovian, LDK-ja e sotme po shihet nga shumë qytetarë si një strukturë pa identitet, e larguar nga nevojat dhe aspiratat e votuesve.
Në kohën kur shteti është shndërruar në një pronë private të atyre që abuzuan me fondet publike dhe idealet e luftës, kur fondi i 3% u shfrytëzua për përfitime personale, dhe kur korrupsioni ka lënë njollë mbi gjithçka që duhej të ishte e shenjtë, LDK-ja ka humbur rolin e saj si mbrojtëse e vlerave të popullit të Kosovës.
LDK-ja e djeshme përfaqësonte lirinë, unitetin dhe përkushtimin ndaj vizionit të Rugovës. Ishte një parti e njerëzve që ndërtuan bazat e shtetit dhe fituan mbështetjen e qytetarëve me sinqeritet dhe përkushtim.
LDK-ja e sotme, fatkeqësisht, përfaqëson një tradhti të këtyre vlerave. Ajo është kthyer në një strukturë që shumëkush e sheh si të kapur nga individë të cilët kanë braktisur idealet e Rugovës për interesa personale dhe partiake.
Liria ka një emër, por ky emër është njollosur nga korrupsioni dhe tradhtia e atyre që dikur pretendonin se përfaqësonin popullin. Sot, është detyra e qytetarëve të Kosovës që të dallojnë mes LDK-së së djeshme dhe të sotme, për të mos harruar asnjëherë se cila ishte rruga e vërtetë që solli lirinë dhe pavarësinë.