Kryetarja e Guxo, njëherësh ministrja në detyrë e punëve të jashtme dhe diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se “vulën” e bllokadës institucionale ia dha Gjykata Kushtetuese me masën e përkohshme me kërkesën e Listës Serbe.
Këto komente Gërvalla i bëri në prezantimin e kandidatëve të partisë Guxo për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Gërvalla ftoi Gjykatën Kushtetuese dhe paritë tjera politike që të heqin dorë, sipas saj, nga bllokada e panevojshme dhe sa më para të formohet Qeveria e Republikës së Kosovës.
“Jemi përballur gjatë ditëve të fundit me një bllokadë të jashtëzakonshme institucionale, të cilës vulën ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese me masën e përkohshme me kërkesën e Listës Serbe. Jemi përballur me një opozitë që nuk është e gatshme ta pranojë rezultatin e 9 shkurtit 2025… Prandaj ftojmë Gjykatën Kushtetuese dhe partitë tjera opozitare që të heqin dorë nga bllokada e panevojshme dhe të formohet qeveria. Mospranimi i rezultatit shpërfaq vetëm dobësinë e skajshme të partive opozitare në Kosovë”, tha ai.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim për caktimin e masës së përkohshme që ndalon çdo veprim nga deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë pas ankesës së Listës Serbe.
Po ashtu, Kushtetuesja ka vendosur që masa e përkohshme të hyjë në fuqi më 5 shtator deri më 30 shtator 2025.
Përndryshe, analistët politikë kanë vlerësuar se koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa nuk i kanë numrat për kromimin e Kuvendit dhe Qeverisë. Ky koalicion për muaj të tërë nuk i kishte votat për ta zgjedhur Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit. /kp/