Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka marrë shumë duartrokitje gjatë fjalës së saj në Konferencën Ndërkombëtare Ministrore për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt.
Në këtë konferencë, Gërvalla është duke marrë pjesë më ftesën e Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, James Cleverly.
“Si një vend që ka dalë nga gjenocidi, më pak se 30 vjet më parë, nuk besoj se mund t’ju tregoj shumë ju, se si të merreni me dhunuesit, e kryerësit e kësaj dhune në vendin tonë, sepse ata kanë ardhur nga jashtë vendit”, tha Gërvalla.
Por, Gërvallës nuk i ka pëlqyer përbërja e panelit pasi që i ftuar ishte edhe Ivica Daçiq.
“Jam paksa e shokuar nga përbërja e panelit të fundit, me prezencën e arkitektit kryesor për kryerjen e gjenocidit në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Ta kemi këtu arkitektin kryesor, që të na tregojë këshilla, në prani të viktimave dhe të mbijetuarave të kësaj dhune, na vë në mëdyshje që të mendojmë për vetë kuptimin e kësaj konference”, deklaroi Gërvalla.
Të pranishëm në sallë, ishin shumë viktima të dhunës seksuale në konflikt, nga vende të ndryshme të botës, të cilët ndërprenë disa herë fjalimin e Gërvallës më duartrokitje.
“Sepse këtu në vendin ku jam ulur unë, ishte një nga kryerësit e këtyre krimeve. Dhe kjo duhet të ndryshojë, Ky është ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, dora e djathtë e Sllobodan Millosheviqt në vitet 1992-2000”, tha ajo, raporton RTKlive.
Drejtuesi i konferencës, tentoj që të largonte fokusin nga Daçiq, duke iu drejtuar më disa pyetje ministres Gërvalla, por ajo refuzoj që të i përgjigjej, gjest i cili u përcoll më shumë duartrokitje.
‘’Më falni, por nuk dua të përgjigjem në pyetjen tuaj, jo në mos respekt ndaj jush personalisht, por duke u përpjekur të ndihmoj çdo të mbijetuar për të mos pasur nevojë që të përballet në një vend neutral me autorët e këtyre krimeve. E ky është obligimi ynë, si politikanë, si drejtësi dhe si gjithçka tjetër”, tha Gërvalla.