Këtë të premte, Gjykata Kushtetuese njoftoi për shfuqizimin e 12 ligjeve dhe më pas edhe të Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Sipas vendimit, arsye janë shkeljet e Rregullores.
Në lidhje me këtë, ministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e Ligjit për Byronë, duke thënë se ka shkelur afatet ligjore për vendimmarrje.
“Pas 1 viti e 28 ditësh pranuam aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Gjykata pas shkeljes së afateve ligjore, konstatoi se ka shkelje procedurale të miratimit të projektligjit përkatës në Kuvend, andaj serish duhet t’i kthehet Kuvendit për miratim. Është joligjore, joprofesionale dhe joetike, që një ligj kaq me rëndësi për luftimin e krimit dhe korrupsionit të zyrtarëve publik të mbahet në sirtarët e Gjykatës me shumë se një vit vetëm për çështje procedurale! Vonesa të tilla, cenojnë kompetencat ekskluzive kushtetuese të Qeverisë dhe Kuvendit në miratimin e ligjeve”, ka shkruar Sallahu në Facebook.
Sallahu ka shkruar se konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshëm do të nisë sivjet.