Vëllai i vëllezërve Geci kritikon ashpër kundërshtarët politikë dhe i quan deklaratat e tyre “komedi politike”.
Halil Geci, vëllai i madh i vëllezërve Geci dhe babai i deputetit të sapo zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka reaguar ashpër përmes një deklarate publike lidhur me rezultatin zgjedhor dhe kritikat ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Ai ka theksuar se Kurti ka marrë 401,241 vota nga qytetarë të gjallë, duke ironizuar kundërshtarët politikë, të cilët, sipas tij, “i lanë fitues te të vdekurit”.
“Ky Albin Kurti, ose siç e quanin disa ‘gjeneralë’, Albin Cërrnagori, ka grumbulluar deri më sot 401,241 vota nga njerëz të gjallë. Sa për të vdekurit, duket se i ka lënë disa të gjallë që të shëtisin mes varreve, ose më saktë, i ka vendosur të gjallët te të vdekurit”, ka deklaruar Geci.
Ai ka shtuar se disa nga ata që më parë e quanin Kurtin spiun serb, rus apo grek, sot, sipas tij, kanë mbetur nën hijen e dyshimit, duke kërkuar “ilaç te varret për kokën që nuk u funksionon më”.
“Ta quash një popull që përfaqëson 80% të shqiptarëve rusë, ndërsa veten ta shpallësh djathtist dhe mbrojtës të amanetit të Rankoviqit për ndarjen e Kosovës, nuk është politikë, por është komedi me bileta të shtrenjta”, ka përfunduar Geci.