“Debati i fundit për mënyrën e zgjedhjes së presidentit e ka rikthyer me të drejtë në vëmendje një çështje thelbësore për funksionimin demokratik të shtetit në Kosovë. Duke parë përvojën e deritanishme, është e qartë se modeli aktual, ku presidenti zgjidhet nga Kuvendi, ka prodhuar shpesh tensione politike, pazare të mbyllura dhe kriza institucionale që kanë dëmtuar besimin e qytetarëve në përfaqësimin e tyre. Zgjedhja e drejtpërdrejtë nga populli do ta rriste legjitimitetin demokratik të presidentit, do ta fuqizonte përgjegjësinë publike dhe do ta shkëpuste këtë proces nga kalkulimet e ngushta partiake”, ka thënë Halilaj për “Bota sot”.
Ai rikujton se iniciativa e para disa viteve për ndryshime kushtetuese në këtë drejtim mbeti në gjysmë për shkak të mungesës së vullnetit real politik.
Sipas Halilajt, subjekte të ndryshme politike zgjodhën ta ruajnë mekanizmin ekzistues, i cili u jepte hapësirë negociatash dhe balancash interesi, në vend që ta hapnin garën përballë qytetarëve.
“Iniciativa e para shumë viteve për ndryshimet kushtetuese mbeti në gjysmë sepse mungoi vullneti real politik për ta çuar deri në fund një reformë që do ta kufizonte ndikimin e marrëveshjeve të prapaskenës. Subjekte të ndryshme politike e panë më të leverdishme ta ruajnë një mekanizëm që u jepte hapësirë negociatash dhe balancash interesi, sesa ta hapnin garën përballë qytetarëve. Në një sistem ku presidenti zgjidhet nga deputetët, pazaret bëhen pjesë e natyrshme e procesit, ndërsa përgjegjësia shpërndahet dhe relativizohet”, shprehet avokati.
Si avokat dhe përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje, Halilaj e sheh këtë reformë si pjesë të domosdoshme të thellimit të demokracisë dhe forcimit të sovranitetit qytetar.
Ai thekson se parimi që buron nga vota e drejtpërdrejtë është thelbi i republikës dhe garancia më e fortë kundër kapjes së institucioneve.
“Si avokat dhe si përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje, e shoh këtë çështje si pjesë të domosdoshme të thellimit të demokracisë dhe të forcimit të sovranitetit qytetar. Parimi që buron nga vota e drejtpërdrejtë është thelbi i republikës dhe garancia më e fortë kundër kapjes së institucioneve. Nëse synojmë institucione më të qëndrueshme dhe më të besueshme, atëherë zgjedhja e presidentit nga populli nuk është thjesht alternativë politike, por hap i domosdoshëm drejt konsolidimit demokratik dhe drejt një kulture politike ku vendimmarrja kthehet aty ku e ka burimin, tek qytetari”, ka përfunduar Halilaj.