Sa herë që një presidenti i ka përfunduar afati Kosova është përballur me situatë të ngjashme si kjo e tashmja.
Madje, vite më parë për këtë çështje ishin iniciuar edhe debate publike ku diskutohej për zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët nëpërmjet zgjedhjeve.
Kjo nismë ishte lënë në gjysmë për shkak të “pazareve” për koalicione ndërmjet partive politike.
Avokati Gazmend Halilaj ka folur për gazetën “Bota sot” lidhur me debatin e fundit për mënyrën e zgjedhjes së presidentit, duke e cilësuar këtë çështje si thelbësore për funksionimin demokratik të shtetit.
Sipas tij, përvoja e deritanishme ka dëshmuar se modeli aktual, ku presidenti zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës, ka prodhuar shpesh tensione politike, pazare të mbyllura dhe kriza institucionale, duke dëmtuar besimin e qytetarëve në përfaqësimin e tyre.
Halilaj vlerëson se zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit nga populli do ta rriste legjitimitetin demokratik të këtij institucioni.
“Debati i fundit për mënyrën e zgjedhjes së presidentit e ka rikthyer me të drejtë në vëmendje një çështje thelbësore për funksionimin demokratik të shtetit në Kosovë. Duke parë përvojën e deritanishme, është e qartë se modeli aktual, ku presidenti zgjidhet nga Kuvendi, ka prodhuar shpesh tensione politike, pazare të mbyllura dhe kriza institucionale që kanë dëmtuar besimin e qytetarëve në përfaqësimin e tyre. Zgjedhja e drejtpërdrejtë nga populli do ta rriste legjitimitetin demokratik të presidentit, do ta fuqizonte përgjegjësinë publike dhe do ta shkëpuste këtë proces nga kalkulimet e ngushta partiake”, ka thënë Halilaj për “Bota sot”.