12:58 / 3 August 2024
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, thotë se secila nga katër datat për zgjedhjet e rregullta parlamentare duhet të jenë të pranueshme për partitë politike, pasi dallimi në kohë është shumë i vogël.
Sipas tij, pasi për zgjedhje të parakohshme s’ka konsensus të partive politike që të mbahen në vjeshtë, atëherë si 26 janari, 2 shkurti, 9 shkurti apo 16 shkurti i vitit 2025 duhet të jenë të përshtatshme. Ai thekson se PDK-ja do të synojë të dalë e para në zgjedhje, por në rastin e kundërt do të qëndrojnë në opozitë dhe s’do të përfshihen në koalicione pas zgjedhore.
Haliti në një intervistë për KosovaPress flet edhe për përplasjet ndërmjet krerëve të institucioneve si dhe për incidentin e presidentes Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit.
“Përderisa s’ka marrë pjesë Vetëvendosja nuk e di a do të pajtohen ata për data. Këto data ka mundur t’i shpallë publikisht dhe në rregull. Ata janë marrë vesh për një datë dhe mendoj se është në rregull. Problemi dhe ideja ka qenë për të shkuar në zgjedhje më herët, të paktën në vjeshtë. Kjo për arsye se moti është më i mirë dhe janari dhe shkurti janë muaj më të ftohtë dhe s’e di sa do të jetë e përshtatshme. Por, ajo që do të doja të them lidhur me këtë është se duhet të rregullohet me Kushtetutë data e zgjedhjeve. Data e zgjedhjeve të përkojë me muajt që janë më të përshtatshme për votuesit dhe partitë politikë që të ketë kohë për t’u përgatitur…S’ka dallim asgjë datat, veçse sa me thënë se i dhamë katër opsione opozitës t’i zgjedhë. Tash mund të thonë se ia lëmë opozitës me zgjedh datën dhe eventualisht sa e njoh mënyrën si po funksionojnë mund të deklarojnë një datë krejt tjetër”, thekson Haliti.
Ai e sheh si të vështirë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, derisa nënvizon se ideja e shpërndarjes së Kuvendit është e gabuar politikisht.
“Mendoj se s’ka asnjë rëndësi a mbahen zgjedhjet e parakohshme apo jo. Jam ithtar i asaj që zgjedhjet të mbahen një herë në katër vjet dhe nëse ka interes për ta rrëzuar qeverinë, institucionet të vazhdojnë dhe të zgjidhet qeveria tjetër deri në përfundim të mandatit të deputetëve. Varianti i vetëshkarkimit të deputetëve politikisht është shumë i gabueshëm, papranueshëm për shumë arsye”, potencon Haliti.