Lajme

Haradinaj: Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
8:46 / 23 March 2026

Haradinaj me kritika të ashpra ndaj qeverisjes, rritjes së çmimeve dhe gjendjes ekonomike; bën thirrje për ndryshim përmes votës.

Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes politike dhe ekonomike në vend, duke e cilësuar si “jonormale” mënyrën e qeverisjes dhe funksionimit institucional.

Ai theksoi se për një vit të tërë vendi është qeverisur në kundërshtim me normat ligjore e kushtetuese, ndërsa qytetarët po përballen me varfëri, emigrim dhe vështirësi për të përballuar jetesën. Sipas tij, fokusi i debatit publik është zhvendosur nga problemet reale të qytetarëve drejt temave politike, duke lënë në harresë nevojat e përditshme.

Haradinaj përmendi edhe rritjen e çmimeve, kostot e larta të energjisë, mungesën e investimeve si dhe sfidat në sistemin shëndetësor dhe arsimor. Ai kritikoi gjithashtu praktikat zgjedhore dhe shpenzimet e mëdha nga buxheti publik për procese të shpeshta zgjedhore.

Në fund, ai theksoi se ndryshimi mund të vijë vetëm nga qytetarët përmes votës, duke ndëshkuar, sipas tij, përgjegjësit për gjendjen aktuale. “Kosova nuk është e varfër, por e keqqeverisur,” deklaroi ai, duke shtuar se vendi ka potencial për një të ardhme më të mirë.