Ish-kryeministri akuzon fituesit e zgjedhjeve të shkurtit për moskrijimin e institucioneve dhe thotë se procesi i ri zgjedhor është rruga e vetme për të dalë nga kriza politike.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se vendi nuk po shkon në zgjedhje të reja “prej qejfit”, por për shkak të një situate të detyruar politike që ka bllokuar institucionet. Ai u shpreh se zgjedhjet e mbajtura në shkurt të këtij viti kanë qenë të rregullta, por, sipas tij, ata që dolën të parët nuk e shfrytëzuan mandatin e qytetarëve për të formuar institucionet.
“Kosova nuk është duke mbajtur zgjedhje prej qejfit. Këto janë zgjedhje prej zorit. Ne i kemi mbajtur një palë zgjedhje të mira në shkurt të këtij viti, por ata që dolën të parët, në vend që ta realizojnë rezultatin e tyre e t’i krijojnë institucionet, u përcaktuan për bllokadë”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se me këtë qasje, vullneti qytetar është “shkelur me këmbë” dhe shteti është futur në një ngërç të panevojshëm politik.
“Prandaj këto zgjedhje janë rruga për të dalë nga logjika e bllokadës dhe unë jam i bindur se ky drejtim do të marrë fund një herë e mirë! Krah teje e kundër bllokadës!”, përfundoi Haradinaj.