Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të pezullojë “menjëherë” vendimin për targat, sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Haradinaj, në një konferencë për media të hënën, ka thënë se Kurti e ka kthyer Kosovën në pozicion më të vështirë sesa Serbia në dialog.
Haradinaj tha se kryeministri Kurti “është kyçur” në një “skenar të Serbisë për dështimin e propozim-marrëveshjes së Gjermanisë dhe Francës”.
“Në këtë skenar është kyçur dhe po e ndihmon edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, tha Haradinaj.
“Disa herë në të kaluarën jam betuar se do ta them të vërtetën në interes të interesave tona nacionale. Dhe tani do t’i qes disa fakte për këtë”, vazhdoi tutje kryetari i AAK-së.
Sipas tij, në tetor në Prishtinë dhe në Beograd kishte mbërritur propozim marrëveshja, që siç thotë ai, e përmbante edhe njohjen reciproke Kosovë-Serbi.
“Amerika duke e ditë qëllimin e Serbisë për dështimin e dialogut, i ka kërkuar Kosovës që ta shtyjë këtë”, tha Haradinaj.
“Albin Kurti ka vendos mos me e dëgju Amerikën por me shku në një rrugë që është e paqartë se e kujt është”, theksoi ish-kryeministri.
Haradinaj tha se “Kurti dhe Qeveria e tij e kanë kthy procesin nga marrëveshja që në përmbajtje e kishte njohjen, në dialogun për kthimin e serbëve në institucione dhe Asociacionin”.
“Qytetarë të Kosovës, vlerësojeni vet se i kujt është Albin Kurti dhe për kënd punon! Unë e kam për detyrë të them të vërtetën. Të aprovohet menjëherë, pra menjëherë kërkesa e Amerikës për pezullimin e vendimit për targat deri në arritjen e marrëveshjes për targat, e cila në përmbajtje ka njohjen”, tha Haradinaj, raporton Paparaci.
“Ikja prej Amerikës është shkuarje në Moskë. S’ke ku shkon tjetër kur ik prej Amerikës për çështje të sigurisë. Vetëm në Moskë ke me përfundu”, tha Haradinaj.
Ambasada e ShBA-së në Kosovë ka thënë të dielën se ShBA-ja pajtohet plotësisht me Bashkimin Evropian që tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar edhe më shumë tensionet.
“Retorika dhe veprimet që rrisin mundësinë e dhunës, përballin personat e pafajshëm dhe jetët e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare me rrezik të panevojshëm”.
Mes tjerash, Ambasada ka thënë se SHBA-ja është në linjë me BE-në edhe sa i përket kërkesës ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS.