Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka dhënë detaje për takimin e tij me diplomatin e lartë, Gabriel Escobar dhe kërkesat e tij ndaj opozitës për gjendjen në Veriun e kosovës dhe marrëveshjet finale Kosovë – Serbi.
Haradinaj ka thënë se Escobar ishte në Kosovë për t’i sanuar disa rreziqe që veç ishin prezentë në Veriun e Kosovës.
“Z. Escobar ishte këtu për t’i sanuar disa rreziqe që veç ishin prezentë në situatën e sigurisë në veri të Kosovës, po ashtu t’i jep një shtytje marrëveshjes finale që në qendër ka njohjen Kosovë Serbi, por unë besoj për të mbrojtur edhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Pra, në një mënyrë kjo vizitë është dëshmi se Amerika nuk heq dorë, përkundër agjendës djallëzorë të Serbisë që me vjedh në situatat e tilla, situatës në Veri me vjedh nga gabimet dhe situatës me marrë nga ajo”, tha Haradinaj në emisionin “Blic Interview”.
“Amerika e konfirmoi se askush s`ka të drejtë t’i fus duart në Kosovë e në Veri. Z. Escobar i ka bërë një respekt të madh opozitës në vazhdimësi, pra mua më ka pritur në fillim të këtij viti në Departamentin e Shtetit, i priti edhe dy kolegët e mi nga PDK e LDK. Sa herë që ka ardhur na ka takuar, na ka mbajtur të informuar në vazhdimësi. Unë mendoj se kjo vizitë ka qenë shprehje e respektit për roli ne opozitë por jo kritikë për opozitën. Besoj që Kurti ka hyrë në një kurs të gabuar, situata e sigurisë, siguria dallon prej çdo lloje teme tjetër në përditshmërinë politike, udhëheqësit politik të partive politike shërbehen me emocione, shërbehen me populizma , shërbehen me taktika të caktuara qofshin edhe guerile për të tërhequr votë, por kur vjen çështja te siguria këto bien poshtë. Kurti me veprime te veta e ka nxjerr Kosovën në pozitë të pavolitshme, i ka bërë favore agjendës djallëzore e agresive të Serbisë dhe aleatët i ka nxjerr në pozita të mosdurimi, pra nuk po e durojnë më në taktikat e tij Kurtin”, vlerësoi ai.