Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes llogarisë së tij në Facebook, ka sqaruar mbështetjen që partia e tij i ka dhënë kohët e fundit kryeministrit Albin Kurti, sa i përket dialogut me Serbinë dhe propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve.
“Ky propozim e ka marrë mbështetjen time dhe të AAK-së, sepse kemi vlerësuar se shënon një kapitull të rëndësishëm për njohjen edhe ‘de jure’ të Kosovës. Vlerësoj se kjo ka qenë më e mira e mundshme. Kjo mbështetje është bërë ekskluzivisht për vendin dhe pa kurrfarë kalkulimi elektoral”, tha ai.
Sipas tij, këto janë momente ekzistenciale për të ardhmen e Kosovës, prandaj kërkoi një unitet politik, i cili, siç nënvizoi ai, në asnjë rrethanë nuk mund të kuptohet si mbështetje për individin.
“Gjithmonë do të kemi kohë t’i diskutojmë kusuret e Kryeministrit dhe të qeverisjes së tij katastrofike në planin e brendshëm. Natyrisht, mbetet edhe shumë punë për tu bërë, në mënyrë që krejt ky proces kaq i rëndësishëm, të mos degradojë e të finalizohet me sukses”, tha Haradinaj.
“Kjo kërkon kujdes e përgjegjësi, që të sqarohen e të adresohen gjitha shqetësimet e mundshme të opinionit publik që kanë të bëjnë me aneks-marrëveshjen e cila ende nuk është bërë publike”, shtoi ai.
Në fund, ish-kryeministri kosovar ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e tij për angazhimin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbështetje të Kosovës në të gjitha fazat e lirisë dhe të shtetndërtimit.
“Kontributi amerikan ishte i një rëndësie jetike edhe për pranimin e propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi që është edhe garancë sigurie dhe prosperiteti për vendin”.
“Unë kam besim në ShBA-të dhe në aleatët perëndimorë, se do të na ndihmojnë si edhe deri sot, që ta përmbyllim marrëveshjen që garanton Kosovën shtet të pavarur e sovran dhe me perspektivë të qartë integruese euro-atlantike”, përfundoi ai.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të hënën e 27 shkurtit janë pajtuar për “Marrëveshjen për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” në Bruksel.
Për herë të parë është zbuluar edhe zyrtarisht përmbajtja e marrëveshjes i cili parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe zbatim të të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.