Lajme

Haradinaj u drejtohet mërgimtarëve për zgjedhjet e reja: Mos lejoni asnjë propagandë që i dëmton familjet

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
4:59 / 21 November 2025

Kryetari i AAK-së kritikon shpërblimet simbolike të qeverisë dhe fton mërgimtarët të diskutojnë për të ardhmen e Kosovës.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, iu drejtua sot mërgatës kosovare me një mesazh të qartë për festat e fundvitit, duke theksuar se vizitat tradicionale familjare duhet të shoqërohen edhe me angazhim për zhvillimin e vendit.

Në një postim në Facebook, Haradinaj nënvizoi se zgjedhjet e jashtëzakonshme të Kosovës synojnë të kthejnë vendin “në binarët e normalitetit” dhe shprehu kundërshtimin ndaj ndarjes së mjeteve financiare të vogla nga qeveria në detyrë, si shpërblimet simbolike prej 100 eurosh. Sipas tij, qytetarët meritojnë një angazhim institucional të qëndrueshëm, jo “shtesa të përkohshme që i shërbejnë pushtetit”.

“Ne s’duam lëmoshë financiare prej 100 eurosh, që ministri e kryeministri t’ia vazhdojnë pushtetin vetes për një javë apo një muaj”, shkroi Haradinaj.

Ai gjithashtu bëri thirrje që mërgimtarët të diskutojnë mes tyre dhe të vendosin për të ardhmen e vendit, duke theksuar se uniteti brenda familjeve dhe komunitetit ka qenë gjithmonë forca e Kosovës, sidomos pas sakrificave të luftës për liri.

“Pa njëri-tjetrin nuk e kemi familjen, nuk e nderojmë vendin dhe nuk e sigurojmë të ardhmen”, përfundoi lideri i AAK-së, duke bërë thirrje për besnikëri ndaj atdheut dhe kombin, dhe për rezistencë ndaj çdo propagande që mund të dëmtojë unitetin e familjes.