Lajme

Deputeti Haxhi Avdyli jep dorëheqje nga partia Guxo

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
12:50 / 9 March 2026

Deputeti thotë se nuk mund të identifikohet me fushatën e linçimit dhe thirrjeve për dhunë ndaj presidentes..

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka dhënë dorëheqje nga Partia Guxo. Lajmin e bëri të ditur vetë ai përmes një postimi në rrjetet sociale.

Avdyli deklaroi se vendimi i tij lidhet me sulmet dhe linçimet publike që, sipas tij, po i bëhen Presidentes Vjosa Osmani, përfshirë edhe thirrje për dhunë.

“Sot është Vjosa, nesër mund të jem unë, pasnesër ju apo vajza e djali juaj që mund të kenë një bindje apo ambicie legjitime të dallueshme nga partia”, shkroi ai.

Sipas Avdylit, sulmet ndaj Osmanit, deri edhe në thirrje për “pushkatim”, si dhe linçimet publike ndaj saj nga figura të njohura e të panjohura, përfshirë edhe sulme ndaj fëmijëve të saj, përfaqësojnë një politikë që do të duhej t’i përkiste së kaluarës.

Ai theksoi se manipulimet me inteligjencë artificiale dhe përmbajtjet që dehumanizojnë kundërshtarët politikë vetëm sa nxisin urrejtje dhe tensione në shoqëri.

Deputeti shtoi se qëndrimin e tij për zhvillimet e fundit politike e kishte shprehur edhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje në prani të kryeministrit Albin Kurti, si dhe në kryesinë e Partisë Guxo.

“Prandaj, në shenjë proteste dhe për të mos identifikuar veten me këtë fushatë të ulët, kam vendosur të jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në Partinë Guxo”, shkroi ai.

Avdyli u bëri thirrje akterëve politikë që të ndalin gjuhën e urrejtjes dhe të kthehen te debati me respekt, duke theksuar se rrugët politike mund të ndahen, por njerëzillëku nuk duhet të humbet.