Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me vendimin për mbështetjen financiare të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, duke theksuar se procesi ka qenë në përputhje të plotë me rregulloren për subvencionim.
Sipas saj, vendimi është marrë në Kryesinë e Kuvendit dhe është mbështetur nga të gjithë anëtarët, me përjashtim të përfaqësuesve të Listës Serbe. Haxhiu ka shprehur keqardhje për situatën e krijuar, duke e cilësuar atë si një moment reflektimi institucional.
Ajo ka sqaruar se Kryesia ka vepruar mbi bazën e informacionit të disponueshëm në atë kohë dhe nuk ka pasur indikacione për pasaktësi, ndërsa ka theksuar se verifikimi i të dhënave nuk është kompetencë e drejtpërdrejtë e këtij institucioni.
“Mbështetja është dhënë me qëllim të mirë, por ky rast na obligon të reflektojmë dhe të përmirësojmë proceset tona”, ka deklaruar Haxhiu.
Në këtë drejtim, ajo ka paralajmëruar ndërmarrjen e hapave konkretë për forcimin e mekanizmave të vlerësimit, përfshirë themelimin e komisioneve të posaçme profesionale dhe ndryshimin e rregullores ekzistuese. Qëllimi, sipas saj, është rritja e transparencës, fuqizimi i kritereve dhe përmirësimi i llogaridhënies në vendimmarrje.
Ndryshe, ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e vendosur në sheshet e Prishtinës, ka ngjallur reagime të shumta, madje disa qytetarë kanë dal duke fshehur të dhënat e pasakta për viktimat në Burgun e Dubravës dhe ato në Krushën e madhe.
Mirëpo, krahas kësaj komuna e Prishtinës, përmes ekipeve të saj, ka larguar sot tabelat e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999” nga sheshi “Nënë Tereza”.
Ky veprim vjen pas vendimit të kryetarit të komunës për pezullimin e lejes së ekspozimit, për shkak të pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e ekspozitës./teve1.info/
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Falbulenaa.haxhiuu%2Fposts%2Fpfbid02XBPrUe4319y4AAu4t4z6kSunV5NJ7mdqbsDcf8QsDdHXi6BGU6S6GLm7Q6KrQ6Rol&show_text=true&width=500