Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka bërë thirrje që të zbatohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Në një tryezë të organizuar në qytetin e Mitrovicës, Haziri është shprehur se moszbatimi i marrëveshjes së vitit 2013 sa i përket Asociacionit solli këtë situatë.
“Ne edhe shumicës së re që ka dalë para dy vjet e gjysmë, që po vjetrohet në mandat, i kemi rekomandu që pa hezitim ta zbatojnë marrëveshjen e vitit 2013. Si e vetmja mundësi e drejtë, e shpejtë dhe do të normalizonte edhe segmentet tjera dialogun dhe normalizimin drejt një qëllimi që të arrinin një marrëveshje obligativisht ligjore për gjitha palët dhe të mbyllet problemi më i madh në Ballkanin Perëndimor”, tha Haziri në një tryezë në Mitrovicë me temë “Implementimi i planit franko-gjerman”.
Theksojmë se sot në Bruksel do të mbahet takimi i radhës midis Kosovës dhe Serbisë.
Tema kryesore e këtij takimi pritet të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe si dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.