Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar sot në rrjetin e tij social “Facebook” rreth çështjes së Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Ai ka kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës dhe ka thënë se të gjitha shtetet e Ballkanit ishin në inagurim të rrugës europiane në Komitetin e BE për çështje ekonomike e sociale, ndërsa Kosova nuk ka qenë pjesëmarrëse
Haziri nuk la pa përmendur dhe tha se gjatë qeverisjes së LDK-së, në vitin 2015, Kosova ka arritur të nënshkruajë marrëveshjen kontraktuale me BE-në dhe mori datën për qarkullimin e lirë në zonën shengen.
Ndërsa thekson se Kosova është duke humbur kohë dhe është duke bërë vetëm hapa prapa.
Reagimi i plotë:
Vonesa e Republikës sonë u pa edhe dje në Bruksel, ku të gjitha shtetet e Ballkanit ishin në inagurim të rrugës europiane në Komitetin e BE për çështje ekonomike e sociale.
Çka presim më shumë nga kjo shumicë politike kur pikërisht këta e kanë vonuar plot 6 vjet liberalizimin e vizave dhe, si duket, aspiratën euronatlantike do ta vonojnë me dekada fatkqësisht, perveç nëse nuk flet qytetari. Ai është sovran dhe mund ta zbardhë e shkurtojë këtë pritje.
Për kujtesën tuaj, më 2015, Kosova nën qeverisjen e LDK-së, arriti të nënshkruajë marrëveshjen kontraktuale me BE-në dhe mori datën për qarkullimin e lirë në zonën shengen. Por, dolën para dhe nuk ia falën suksesin LDK-së. Sot e asaj dite po ecim prapa.
Veç mund të na e humbin kohën, mundin e sakrificën, por s’mund ta ndryshojnë vullnetin dhe bindjen euroatlantike të Kosovës. Rrugë me një drejtim tash e 35 vjet. Republika e Kosovës s’ka opsion tjetër! /Lajmi.net/