Si pret ai se do të shkojë tash dialogu me Serbinë pas tensioneve të dhjetorit dhe a pret shpejt një marrëveshje? Si mund të duket një asociacion me komuna me shumicë serbe dhe çfarë duhet të bëjë Kryeministri Kurti të mos krijohet një pushtet i tretë nga Asociacioni
Përveç bashkësisë së komunave, ai thotë se ka çështje të tjera, të cilat do të mund të çonin në krijimin e një pushteti të tretë.
“Nuk është vetëm asociacioni që duhet parë në hartë apo në zbatim, por nëse kjo kombinohet me çështjet që janë për t’u negociuar e ato janë çështja e pronës shoqërore, çështja e pronave publike, çështja e pronave të kishave, çështja e kufijve komunalë dhe çështjet tjera që lidhen kryesisht me territor, atëherë z.Kurti është para një kërcënimi që të krijojë pushtetin e tretë në Kosovë që është kundër-kushtetuese”, ka thënë Haziri.
“Z. Kurti mund të krijojë me apo pa dashjen e tij korridore etnike, që prej veriut të Kosovës kalon në Kosovën qendrore në drejtim të juglindjes dhe perëndimit të Kosovës. Praktikisht, këto janë rreziqet që i bartë ky proces”.
Për t’i evituar këto rreziqe, Haziri flet për një rishikim që, sipas tij, do të duhej ta bënte Qeveria, para se të formonte një asociacion me komuna.
“Qeveria duhet ta ketë parasysh edhe një detyrë nga Aneksi III që nuk është zbatuar e që është rishikimi funksional i pushtetit lokal. Ndoshta një rishikim i shpejtë i funksionimit të pushtetit lokal në kapacitetet që ka e në detyrat që ushtron, në rregullimin asimetrik që tani e ka në raport me tri komuna me shumicë serbe në veri dhe juglindje, me Prishtinën si kryeqytet dhe me qendrat e mëdha si Gjilani, Prizreni, Peja e komunat e niveleve të tilla, do të krijonte një mundësi shumë më të mirë për ta parë më drejtë se si dhe në çfarë forme mund të organizohet më mirë një asociacion i cili është nënshkruar në vitin 2013 nga kryeministri Thaçi në atë kohë e më vonë në aneks dokumentin edhe nga kryeministri Mustafa, e që ka arritur këtë proces ta konfirmojë në Gjykatë Kushtetuese” thotë ai.
Por, Haziri, tash opozitar, nuk ka besim se Qeveria aktuale ka aftësi “për të parë gjendjen faktike” dhe për të jetësuar një funksionim praktik të Asocioancionit, nëse Kurti pranon zbatimin e marrëveshjes.
Kjo qeveri nuk ka as kapacitet , as dije e as vullnet për ta parë realisht gjendjen faktike që e ka në raport me ndërmjetësin ndërkombëtar dhe me partnerët dhe funksionimin praktik se si mund t’i ndodh në rast të nënshkrimit të një marrëveshje të tillë nga z.Kurti kryeministër”