Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, me anë të një postimi në Facebook i është drejtuar kryeministrit, Albin Kurti ku ka thënë se Kosova kurrë nuk ka qenë më keq në politikën e jashtme e të brendshme.
Po ashtu, Hoti listoi disa fakte, që sipas tij e dëshmojnë se Kosova nuk ka qenë kurrë më keq se sot.
“Kosova kurrë nuk ka qenë më keq në politikën e brendshme e të jashtme. Kurrë nuk ka pasur sanksione dhe kurrë nuk i ka pasur të cenuara raportet me aleatët. Kurrë nuk ka pasur më shumë kontrata njëburimore për projekte kapitale. Kurrë nuk ka qenë më keq gjendja me investime kapitale në rrugë e në projekte të tjera. Kurrë nuk ka qenë më i dobët bashkëpunimi i Qeverisë me komunat. Kurrë nuk ka qenë më i keq bashkëpunimi mes Qeverisë dhe sindikatave e shoqërisë civile. Kurrë nuk ka qenë më e mbyllur e më linçuese Qeveria ndaj mediave. Kurrë nuk janë sulmuar deputetët e opozitës në parlament nga Qeveria. Kurrë nuk janë mbyllur spitalet rajonale apo klinikat e QKUK-së për operacione të pacientëve. Kurrë nuk ka qenë gjendja më keq në komunat në veri se tani.’’, shkroi ai.
Tutje ai ka përmendur edhe migrimin e popullsisë, duke theksuar se asnjëherë më parë nuk ka pasur vullnet kaq të madh për të lëshuar Kosovën.
‘’Si rezultat, kurrë më shumë qytetarë nuk kanë emigruar se në këto dy vite (përveç gjatë viteve të 1990-ta). Kurrë më shumë qytetarë sesa tani nuk kanë shprehur gatishmëri për të emigruar: 57% e qytetarëve duan të emigrojnë”, shkroi Hoti.