Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka quajtur hipokritë dhe mashtrues kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin si dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, raporton Gazeta10.
Hoti ka thënë se koordinimi dhe marrëveshjet me SHBA-në asnjëherë nuk ka qenë i dëmshëm për Kosovën.
Më tej, ai ka kujtuar akuzat e ish opozitës për tradhëti kur Hoti kishte nënëshkruar marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë.
Tutje, Hoti ka thënë se duhet krahasuar dy situata, atë që kishte krijuar ai më 2020 dhe këtë që e kanë krijuar tani Kurti dhe Osmani duke i quajtur anarkist.
Hoti ka thënë se SHBA-ja i nxorri nga bataku ku kishin rënë të cilin e kishte pregatitur Serbia me strukturat e saj kriminale.
Këtu keni postimin e plotë:
“Koordinimi dhe marrëveshjet me Shtëpinë e Bardhë asnjëherë nuk janë të dëmshme për Kosovën
Më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, pas pranimit të njohjes nga Izraeli, pata pranuar kërkesën e SHBA-së që të shtyhet aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
U patën mobilizuar opozita e atëhershme me akuza për tradhti. Në dhjetor 2021, në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës, Presidentja si zakonisht nxori vrer dhe urrejtje patologjike për këtë veprim timin.
Në të vërtetë, ajo çfarë kisha bërë unë në Shtëpinë e Bardhë ishte dakordimi me aleatin kryesor të Kosovës për kohën e përshtatshme për aplikim. Vetëm mendje të sëmura politike mund të cilësonin akt tradhtie një marrëveshje për Kosovën me SHBA-në të arritur në Shtëpinë e Bardhë.
Tani Presidentja i shtyn zgjedhjet në komunat në veri pa asnjë bazë kushtetuese. Këtë ajo e bëri me kërkesë të ShBA-së pas situatës së krijuar në komunat në veri dhe në koordinim me shefin e saj në Qeveri.
Unë e kuptoj se nuk ka pasur zgjidhje tjetër, por krahasoni vetë këto dy situata:
– Më 4 shtator 2020, ne bëmë veprim strategjik në koordinim me SHBA-në.
– Ndërkaq, tani SHBA-ja i nxori këta dy anarkistë nga bataku ku kishin rënë, të cilin e kishte përgatitur Serbia me strukturat kriminale në veri.
Këta janë vetëm hipokritë e mashtrues, që shkelin çdo gjë për pozitat e tyre”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në Facebook.