Lajme

Hoxhaj: Pas 28 dhjetorit, Albin Kurti përfundon karrierën politike si kryeministër

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
12:52 / 21 December 2025

Kandidati i PDK-së thotë se opozita, nën udhëheqjen e PDK-së, do ta formojë qeverinë e re dhe premton stabilitet, zhvillim ekonomik dhe rinegocim të marrëveshjeve për veriun.

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka deklaruar se pas 28 dhjetorit Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër, duke theksuar se partitë opozitare, nën udhëheqjen e PDK-së, do ta formojnë qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Në emisionin Blic Interview me Astrit Gashin, Hoxhaj u shpreh se qytetarët e Kosovës, nëse dëshirojnë stabilitet politik, zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe siguri, duhet ta votojnë PDK-në dhe kandidatin për kryeministër Bedri Hamza. Sipas tij, gjatë pesë viteve të fundit nuk ka pasur përmirësime në jetën e qytetarëve, ndërsa Kosova po përballet me zbrazje dhe krizë politike.

“Nëse nuk je në gjendje të ulesh me të tjerët, të dialogosh dhe të arrish marrëveshje, kjo është paaftësi politike. Në pesë vitet e fundit asgjë nuk ka ndryshuar për qytetarët. Prandaj platforma e PDK-së bazohet në pesë shtylla kryesore: zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien, arsimin dhe shëndetësinë, drejtësinë, politikën e jashtme dhe mbrojtjen”, deklaroi Hoxhaj.

Ai theksoi se këto zgjedhje janë historike, pasi sipas tij opozita hyn në garë me bindjen se Kurti nuk do të jetë më kryeministër. “Me 28 dhjetor, Albin Kurti e përfundon karrierën e tij politike si kandidat për kryeministër dhe pas kësaj date, opozita do ta formojë qeverinë e re”, tha ai.

Hoxhaj u shpreh i bindur se qytetarët do ta shprehin vullnetin e tyre politik për ndryshim, duke shtuar se në terren vërehet pakënaqësi e madhe me qeverisjen aktuale. Sipas tij, vendi është futur në krizë gjatë vitit 2025 për shkak të keqqeverisjes.

Në pjesën e fundit të intervistës, Hoxhaj kritikoi edhe qasjen e qeverisë Kurti ndaj veriut të vendit dhe dialogut me Serbinë. Ai tha se marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit i kanë dhënë autonomi të madhe komunitetit serb, duke rrezikuar sovranitetin e Kosovës. Sipas tij, qeveria e ardhshme duhet t’i rinegociojë këto dokumente dhe të miratojë një rezolutë në Kuvend për qasjen ndaj dialogut.

“Këto dokumente janë ndër dëmet më të mëdha që i janë bërë Kosovës në 20 vitet e fundit. Ato e kanë dëmtuar pozitën ndërkombëtare të vendit dhe kanë krijuar rrezik për ndarje të brendshme”, përfundoi Hoxhaj.