Ish-ministrja e Qeverisë së Kosovës kritikon ashpër ekzekutivin aktual, duke theksuar se ka punuar me përgjegjësi në tri qeveri dhe sfidon Kryeministrin Kurti për përballje publike.
Ish-ministrja e Qeverisë së Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj, siç i quan ajo, “fushatat linçuese me profile fallce” të pushtetit aktual, duke deklaruar se faktet janë arsyeja pse qeveria “po çmendet”. Në një deklaratë të gjatë publike, Bajrami tha se gjatë angazhimit të saj në tri qeveri të ndryshme nuk është gjetur asnjë shkelje, pavarësisht “gërmimeve të tokës e nëntokës”.
Ajo rikujtoi disa prej proceseve në të cilat ka marrë pjesë gjatë mandatit të saj, përfshirë nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, rritjen ekonomike prej afro 6 për qind, inflacionin afër zeros, shkarkimin e ministrit Jabllanoviq dhe nënshkrimin e marrëveshjeve ekonomike në Shtëpinë e Bardhë, që u pasuan nga njohja nga Izraeli.
Bajrami akuzoi Kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje se po përdorin Listën Serbe si justifikim për dështimet në qeverisje. Ajo renditi një sërë pyetjesh lidhur me performancën e qeverisë në pesë vitet e fundit, duke përmendur rritjen e çmimeve, luftimin e korrupsionit, projektet infrastrukturore, si dhe gjendjen në arsim e shëndetësi.
Në deklaratën e saj, Bajrami pretendoi se qeveria aktuale është koordinuar me liderët e Listës Serbe, përfshirë Millan Radojiçiqin, për çështje të ndryshme, si votat për Gjykatën Kushtetuese dhe pagat e veteranëve. Sipas saj, Kurti “e ka faktorizuar Listën Serbe” për të mbuluar dështimet qeverisëse.
Ajo e ftoi Kryeministrin për një debat publik në cilindo televizion, duke e quajtur pushtetin “frikacak”. Po ashtu, theksoi se Serbia mbetet armik historik, por se realiteti i pasluftës dhe pavarësia e Kosovës nuk mund të kontestohen.
Bajrami akuzoi qeverinë se nuk ka përmbushur premtimet për ndërtimin e 160 çerdheve, investimet në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim, si dhe se nuk ka realizuar premtimet për luftimin e korrupsionit. Sipas saj, videot dhe deklaratat e së kaluarës e ekspozojnë pushtetin aktual.
Në fund, ajo theksoi se largimi i qeverisë duhet të bëhet përmes votës, duke shtuar se qytetarët kërkojnë llogari dhe përgjegjësi. Bajrami deklaroi se ruajtja e Republikës së Kosovës nuk kërkon konfrontime fizike, por ballafaqim me të vërtetën dhe programet politike.