Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së, ka shkruar në lidhje me raportin e Parlamentit Evropian.
Bajrami ka vlerësuar se viti 2025 ishte vit i humbur për Kosovës.
Postimi i plotë:
Parlamenti Evropian: Viti 2025 ishte një vit i humbur për Kosovën; Kosova ka rënë në Indeksin Global të Korrupsionit për 3 vende në krahasim me vitin 2024 dhe ka rënë për 24 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave
Në “DRAFT REPORT on the 2025 Commission report on Kosovo (2025/2252(INI))”, publikuar më 6 mars 2026 nga raportuesi Riho Terras, Komisioni për Punë të Jashtme – AFET, thuhet:
Viti 2025 ishte vit i humbur (lost year) për Kosovën, për shkak të paralizës politike pas zgjedhjeve të shkurtit 2025: pa Kuvend funksional, pa Qeveri me mandat të plotë. Sipas raportit, kjo gjendje bllokoi reformat, dialogun, fondet e BE-së dhe Planin e Rritjes, pati mungesë të përparimit në sundimin e ligjit, mungesë të lirisë së mediave (rënie për 24 vende në Indeksin e lirisë së medias), mungesë në luftën kundër krimit të organizuar dhe mungesë në reforma në administratën publike.Kosova ka rënë 3 vende në indeksin global të korrupsionit për 2025 në krahasim me 2024. Raporti shpreh shqetësim të madh për progresin e kufizuar në luftën kundër korrupsionit në përgjithësi dhe kërkon reforma të thella në sundimin e ligjit, sepse pa reforma integrimi evropian mbetet peng.
Parlamenti Evropian po ashtu shpreh shqetësimin edhe me zhvillimet e fundit në dështimin e zgjedhjes së presidentit.
Pra, të nderuar qytetarë,
Pas një viti të humbur në 2025, humbja po vazhdon edhe në 2026, Kosova është me Kuvend të suspenduar deri më 31 mars e më pas, sipas të gjitha gjasave, zgjedhje parlamentare sepse LVV i do krejt për vete dhe asgjë për Kosovën. LVV/Albin Kurti po krijon situata të tilla edhe pse fitoi 51% sillet me arrogancë, refuzim marrëveshjesh politike, refuzim kompromisi e bllokada institucionale dhe rezultati: Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare (të tretat në më pak se 15 muaj), me rrezik të paralizës së plotë institucionale pasi kemi vetëm disa muaj kur edhe Gjykata Kushtetuese do të mbetet pa kuorum.
Kjo nuk është demokraci, ky është pengim i qëllimshëm i institucioneve.
Nëse vendi vazhdon me strategjinë e LVV/Albin Kurtit: “zgjedhje – refuzim kompromisi – bllokadë – zgjedhje të reja”, Kosova rrezikon të kthehet nga një shtet që humb vite në një shtet që po humbet ndër vite.
Andaj ka ardhur koha për reflektim të vërtetë qytetar, t’i themi stop arrogancës së partive politike, atyre që shtetin po e konsiderojnë si lodër argëtimi.
Askush, ama askush nuk ka të drejtë të abuzojë me besimin e qytetarëve.