Ish-koordinatori Shtetëror për Dialog, Skender Hyseni ka reaguar ndaj çështjes së dialogut dhe ndaj reciprocitetit të targave.
Përmes një postimi në Facebook, Hyseni ka thënë se kryeministri Albin Kurti, është duke bërë lojëra të rrezikshme dhe mund të ketë pasoja të mëdha për Kosovën.
Ish ministri i Punëve të Jashtme, tha se Qeveria duhet ta pranojë kërkesën për shtyrjen e implementimit të targave, shkruan lajmi.net.
“Pra, e them me bindje se qeveria e Kosovës duhet të respektojë kërkesën e Eskobar që duket se është kërkesë edhe e gjithë Quintit dhe të shtyjë implementimin e vendimit për targat, duke lënë hapur rrugën për marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila çështjen e targave dhe shumë probelemeve tjera i zgjidhë me automatizëm… Është e pafalshme nëse kjo Qeveri rrezikon partneritetin me SHBA-të dhe partnerët tjerë në perendim me veprime infantile e populliste, siç është fundja edhe kjo loja me target.”, ka shkruar Hyseni.
Në anën tjetër, Hyseni ka shkruar se vizitat e shpeshta të emisarit amerikan për rajonin, Escobar si dhe të Lajçak, Emanuel Bone dhe Jens Plotner, si të dërguar të presidentit francez, Macron dhe kancelarit Sholc për t’i dhënë një dinamikë të re dialogut janë shenjë qartë e konstatimit se një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë nuk pret edhe shume kohë.
“Poashtu duket sheshazi se ka një koordinim më sistematik midis BE-së, sidomos përmes të dërguarëve të Makron dhe Sholc në njërën anë dhe Shtëpisë së Bardhë në anën tjetër, për hapat që duhet bërë në drejtim të përmbylljes së dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, me një marrëveshje të përgjithshme, e cila doemos duhet të përqendrohet në njohje të ndërsjellë. Është, pra kjo një rrethanë të cilën Qeveria e Kosovës dhe Kurti duhet ta shfrytëzojnë për të quar tutje procesin e konsolidimit të shtetit”, shkroi tutje ai.
Hyseni po ashtu deklaroi se është thelbësore që të përmbahemi nga çdo veprim aventuresk, të cilin Serbia do ta përdorë si pretekst për ruajtjen e sataus-quosë, për ikje nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse, si dhe për krijimin e epërsisë diplomatike./Lajmi.net/